A po rrezikon Interpoli të bëhet një vegël në shërbim të regjimeve autoritare?

schedule12:01 - 4 Nëntor, 2021

schedule 12:01 - 4 Nëntor, 2021

Nga Josh Jacobs “The Guardian”

Një ditë në vitin 2015, duke shfletuar lajmet e ndryshme, Alexey Kharis, një biznesmen rus me banim në Kaliforni dhe baba i 2 fëmijëve, hasi në një njoftim tronditës:Rusia do të paraqiste një kërkesë për arrestimin e tij në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, e njohur më shumë si Interpol.

Kharis, 46 vjeçar, u shokua. Gjithçka që dinte mbi Interpolin dhe kërkimin prej tij të kriminelëve më të rrezikshëm në botë, ai e kishte marrë nga romanet dhe filmat. Biznesmeni u përpoq të qetësohej duke menduar se gjithçka do të shkonte mirë, dhe se ajo lëvizje ishte thjesht një truk i autoriteteve ruse, që kishte si synim kryesor frikësimin e tij.

Interpol nuk kishte arsye të niste kërkimin dhe arrestimin e tij. Në muajt që pasuan, Kharis vazhdoi të kontrollonte rregullisht në uebsajtin zyrtar të Interpolit fotot e mijëra të arratisurve ndërkombëtarë.  Më në fund ai gjeti foton e tij. “Oh Zoti im!”- bërtiti i tmerruar. “Ky djali është një terrorist. Ky tjetri një vrasës. Ky ka rrëmbyer fëmijët. Dhe pastaj vij unë…”- e kujton ai atë moment.

Kharis u vendos në shënjestrën e autoriteteve ruse qëkur drejtonte një kompani të madhe ndërtimi në vend. Në vitin 2010, kompania e tij, Zao Rosdorsnabzhenie, fitoi tenderin për të restauruar kantieret detare në qytetin e Vladivostokut në skajin lindor të Rusisë. Në atë kohë, partneri i tij në biznes, Igor Borbot, i kishte treguar se disa zyrtarë të lartë po përvetësonin fondet e caktuara për projektin.

Kharis u vendos në shënjestër pasi kërcënoi se do të zbulonte publikisht korrupsionin ministror, dhe kur refuzoi të dëshmonte kundër Borbot. Në vitin 2013, gjatë marrjes në pyetje, agjentët e Zyrës Federale të Sigurisë Ruse i thanë:”Partneri juaj në biznes do të fundoset. Ti mund të na ndihmosh, ose do të fundosesh bashkë me të!”.

Kharis kishte shpresuar me naivitet se hetimet e autoriteteve ndaj tij do të mbylleshin një ditë. Por procedura e Interpolit konfirmoi se e kishte pasur gabim. Kharis u akuzua si pjesë e një “organizate kriminale”, që kishte vjedhur dhjetëra miliona paund nga kompania e tij, dhe  përballej me një dënim deri në 10 vjet burg.

Ted Bromund, ekspert në procedimet kundër Kharis në Shtetet e Bashkuara, shpenzoi ditë të tëra duke analizuar dokumentet, i bindur se akuzat ndaj rusit ishin të pabaza. Sipas tij, kjo ishte edhe një tentativë e Moskës për të shfrytëzuar Interpolin, me kërkesa të pabaza për arrestimin e shtetasve rusë jashtë vendit.

Sipas organizatës amerikane “Freedom House’, Rusia është përgjegjëse për 38 për qind të të gjithë sinjalizimeve ndërkombëtare në Interpol për personat që kërkohen të arrestohen. Në dëshminë e tij Bromund shkroi se arrestimi nuk vërteton se Kharis ka kryer ndonjë krim, “por vetëm që Federata Ruse ka plotësuar saktë një formular të Interpolit”.

Vetë Interpoli refuzoi të komentojë mbi çështjen “Kharis”, dhe u mjaftua me konfirmimin se ai është në kërkim. Megjithatë, autoritetet e emigracionit të Shteteve të Bashkuara nuk ndanin këtë pikëpamje. Departamenti i Sigurisë Kombëtare zbuloi se Kharis “rrezikonte të arratisej”, ndaj e arrestoi atë në San Francisko në vitin 2017.

Kharis i kaloi 15 muajt e ardhshëm në burgjet e Kalifornisë. Interpoli u themelua në vitin 1923 , kryesisht për të parandaluar mundësinë që një person të kryejë një krim në një shtet, dhe të strehohet në shtet një tjetër pa rrezikuar arrestimin. Në të kaluarën, ky institucion është përdorur për qëllime të errëta nga disa regjime.

Në vitin 1938, nazistët shkarkuan kreun e tij dhe e zhvendosën selinë në Berlin. Shumica e vendeve që ishin pjesë e tij u tërhoqën nga anëtarësimi, dhe institucioni pushoi së ekzistuari si organizatë ndërkombëtare deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. 194 shtetet që janë sot pjesë e Interpolit, janë në kërkim të kriminelëve të luftës, bosëve të drogës dhe njerëzve që i janë shmangur drejtësisë për dekada. Në një epokë ku kriminelët po lëvizin vazhdimisht në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe me sulmet terroriste në rritje, sinjalizimet ndaj Interpolit janë shtuar.

Gjatë 20 viteve të fundit, janë 10-fishuar të ashtuquajturat “njoftimet e kuqe”, nga 1200 në vitin 2000, në thuajse 12.000 vitin e kaluar. Paralelisht me zgjerimin e listës së të kërkuarve, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare, raportojnë se po ndodh një fenomen alarmant.

Disa qeveri po e përdorin Interpolin për t’u hakmarrë politikisht, duke synuar emigrantët, përfshirë kundërshtarët politikë, aktivistët dhe refugjatët. Nuk ka asnjë vlerësim se sa nga 66.000 personat e kërkuar nga organizata, janë në shënjestër për qëllime politike. Për më tepër, Interpoli nuk publikon të dhëna për kërkesat e refuzuara.

Në çdo rast, disa studime, përfshirë ato të kryera nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, Parlamenti Evropian dhe studiues të shumtë, kanë dokumentuar keqpërdorimin e Interpolit gjatë viteve të fundit. “S’ka asnjë dyshim se numri i ‘njoftimeve të kuqe’ të pajustifikuara po rritet”- thekson Bromund.

Përpjekja për të manipuluar Interpolin, është një tipar i represionit ndërkombëtar, përmes së cilit qeveritë përpiqen ta zgjerojnë ndikimin e tyre jashtë vendit për t’i mbyllur gojën apo goditur kundërshtarët. Taktikat e përdorura në këtë proces përfshijnë vrasjen, helmimin dhe gjymtimin për qëllime shantazhi, si dhe përgjimin e telefonave apo edhe kërcënimet ndaj anëtarëve të familjes që kanë mbetur në vend.

Metodat ndryshojnë, por synimi është të dërgohet një mesazh frikësues në një epokë të udhëtimeve globale:ju mund të largoheni nga vendi, por ne do të gjejmë mënyrat për t’ju ndëshkuar. Vendimi i marrë në fillim të këtij muaji nga Interpoli, për të ri-lejuar qasjen e qeverisë siriane në arkivin e organizatës, duke e lejuar atë të komunikojë me qeveritë e tjera, u kritikua ashpër nga aktivistët e opozitës.

Anas Al Abdah, kreu i negociatorëve të opozitës, tha se vendimi i Interpolit i dha regjimit të Bashar Al Assad mjetet për të nisur një luftë tjetër kundër popullit sirian. Toby Cadman, një avokat britanik që merret me krimet e luftës të lidhura me Sirinë, u shpreh:“Sistemet e Interpolit janë të paqarta. Nuk ka asnjë mbikëqyrje apo përgjegjësi, dhe qeveri si ajo e Sirisë kanë abuzuar vazhdimisht me të”.

Hakeem al Araibi, një futbollist nga Bahreini, aktualisht refugjat politik në Australi, u arrestua gjatë muajit të mjaltit në Tajlandë në vitin 2018 bashkë me gruan e tij, kur qeveria e Bahrejnit publikoi ​​një njoftim në Interpolit me akuzën e vandalizmit.

Futbollisti ishte larguar nga vendi i tij, pasi kishte marrë pjesë në protestat pro demokracisë.  Interpoli e hoqi njoftimin kur autoritetet australiane i dhanë Al Arabit statusin e azilantit politik, por deri atëherë futbollisti kaloi 76 ditë në një burg tajlandez.

Një tjetër aktivist politik i ndjekur penalisht jashtë vendit përmes Interpolit është Petr Silaev, një ambientalist dhe antifashist rus, i akuzuar për “vandalizëm”, pasi protestoi në vitin 2010 kundër ndërtimit të një autostrade që supozohej të kalonte pyllin Khimki, jo shumë larg Moskës.

Silaev u largua nga vendi kur autoritetet ruse filluan të arrestonin protestues të tjerë, dhe mori azilin politik në Finlandë. Por në vitin 2012, ai u arrestua në Spanjë për shkak të një njoftimi nga Interpoli, dhe u mbajt në një burg të sigurisë maksimale. Për muaj të tërë ai luftoi që të shmangte ekstradimin në Rusi.

Jürgen Stock, Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit për 7 vitet e fundit, është çuditërisht i prirur të flasë për kërcënime ndaj besueshmërisë së Interpolit. Ai është shpesh i zhgënjyer pasi e zbulon nga gazetat, dhe jo nga bashkëpunëtorët e tij, ekzistencën e një kërkese të pajustifikuar për arrestim, për shembull ndaj një refugjati.

Qeveritë nuk e njoftojnë gjithmonë Interpolin për statusin e refugjatit të një personi, thotë Stock. Stock, 62 vjeç, shpjegon se puna kryesore e Interpolit është të kapë “pedofilët, vrasësit dhe mashtruesit”. Ai nuk jep të dhëna për keqpërdorimin e instrumenteve të Interpolit kundër kundërshtarëve politikë dhe refugjatëve, por rithekson se kërkesat e këtij lloji përfaqësojnë “një përqindje të vogël të rasteve”, krahasuar me “shumicën e madhe” të veprimeve legjitime.

Kharis u lirua nga burgu në vitin 2018 pasi një gjykatës federal pranoi provat për abuzimet e Rusisë me procedurat e Interpolit, dhe “të metat serioze” në sistemin e Interpolit. Sot Kharis jeton në Palo Alto, Kaliforni dhe po përpiqet të rindërtojë jetën e tij. Gjyqi i tij është ende në vazhdim, me fitore dhe disfata.

Verën e kaluar, 9 muaj pas apelit të paraqitur në Interpol dhe 4 vjet pas publikimit të “njoftimit të kuq”, organizata e informoi se statusi i tij si kërkuar ishte anuluar. “Unë mendoj ende se Interpoli është i dobishëm. Por është shumë e lehtë ta manipulosh sistemin. Dhe po flasim për jetë njerëzish”- thotë biznesmeni rus. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime