Një aksident i rëndë ndodhi ditën e sotme në Tiranë, në rrugën e Kavajës. ABC ka siguruar pamjet ku shihet një vajzë e cila teksa ishte duke kaluar rrugën është përplasur nga një makinë që vinte me shpejtësi. Si pasojë e shpejtësisë së madhe, makina e ka hedhur vajzën në ajër pavarësisht se kjo e fundit tentoi t’i shmanget.
Goditja ka qenë e fortë dhe vajza ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Në reanimacion ajo po trajtohet dhe po ndiqet me kujdes nga mjekët, ndërkohë që vijon të jetë në rrezik për jetën. Gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 675 aksidente që kanë shkaktuar 104 viktima. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Rrugore, 765 persona kanë mbetur të plagosur, 100 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ndërsa pjesa tjetër kanë marrë plagë më të lehta. Shkaqet kryesore të aksidenteve fatale rezultojnë të jenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara. be.k/abcnews.al