Nënkryetarja e PD dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku, u takua pasditen e sotme me Ambasadoren Susanne Schutz që mban postin e Drejtoreshës së Drejtorisë për Europën Juglindore, Turqisë dhe shtetet EFTA-s në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme në Gjermani. Diskutimi me nënkryetaren Tabaku u fokusua në situatën politike në vend dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Zyra e shtypit të PD-së njofton se Tabaku e vlerësoi Gjermaninë dhe posaçërisht zonjën Schutz për kontributin në këtë pikë dhe njëkohësisht vuri në dukje problemet që qeveria shqiptare ka në lidhje me procesin e integrimit.
Po sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, Tabaku e vuri theksin në mungesën e një vullneti politik të qeverisë që për rrjedhojë ka prodhuar një stanjacion në procesin e përmbushjes së kushteve nga Shqipëria.
Kryetarja e Komisionit të Integrimit u shpreh se PD është e bindur që Shqipëria duhet të vazhdojë me procesin e integrimit pasi vetëm kështu qeveria do të jetë më llogaridhënëse. Gjatë takimit, deputetja Tabaku shprehu shqetësimin e saj në lidhje me procedurat me të cilat u përjashtua një kompani gjermane nga konkurrimi në portin e Durrësit.
Ajo gjithashtu diskutoi me ambasadoren edhe në lidhje me Aeroportin e Vlorës i cili sipas saj kundërshtohet nga 34 organizata mjedisore sepse rrezikon faunën.
“Gjatë bisedës u prekën tema të një rëndësie të veçantë si ajo e krijimit të 3 agjencive të reja nga qeveria që centralizojnë pushtetin në dorën e një njeriu” mbyllet njoftimi i selisë blu./ Abcnews.al