Deputetja demokrate Albana Vokshi tha në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu se në të gjithë vendin janë më shumë se 14 mijë fëmijë në sistemin parauniversitar që janë prekur nga COVID, si dhe 9400 mësues. Ajo u shpreh se qeveria ka dështuar për menaxhimin e situatës në shkolla si dhe programin e rindërtimit.
“Kemi mbi 9400 mësues të prekur me COVID. Janë rreth 14 mijë fëmijë të prekur. Në sistemin para universitar. Qeveria ka dështuar. Nëse kemi kaq shumë fëmijë të prekur, atëherë çfarë ka bërë qeveria për rimbursimin, për testimet, për kurimin. Ministrja Shahini atëherë tha që mësuesit do të trajtohen si kategori më vete. Sepse ashtu si mjekët janë në vijën e parë. Punojnë në klasa të tejmbushura, në shkolla që nuk kanë ujë të pijshëm në mes të pandemisë, pa dezinfektant. I sigurojnë vetë mësuesit dhe nxënësit”, u shpreh Vokshi.
Ajo deklaroi se ka pasur mësues të sëmurë që nuk duhet ta bënin vaksinën por janë detyruar për shkak të shpenzimeve të shumta për testin PCR.
“Janë rreth 2300 mësues që nuk janë vaksinuar. Nuk ka pasur fushata sensibilizimi. Ata që janë vaksinuar kanë qenë të detyruar sepse testimi nuk ka qenë falas. Ka mësues që janë të sëmurë dhe nuk duhet ta bëjnë vaksinën, por detyrohen ta bëjnë vaksinën”, tha ajo.
Vokshi theksoi se ministrja e Arsimit Evis Kushi ka refuzuar të jetë pjesë e komisionit, duke theksuar se shëndeti i mësuesve është më i rëndësishëm se axhenda politike e saj.
“Pse qeveria nuk përgjigjet kur jemi në kohë pandemia. Qeveria duhet të marrë përsipër të gjitha shpenzimet. Kemi 25 mijë nxënës që mësojnë me turne. Edhe programi i rindërtimit ka dështuar. Më shumë se 100 shkolla nuk kanë mbaruar. 25 mijë nxënës ose detyrohen të shkojnë në shkolla të tjera në transport pa standarde, në klasa të tejmbushuara. Evis Kushi refuzoi të paraqitej në komision. Është e detyruar të vijë. Shëndeti i mësuesve është më i rëndësishëm se axhenda politike e Evis Kushit”, deklaroi deputetja Vokshi. m.v/Abcnews.al