James Harden është favorit për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit në basketbollin amerikan. Ylli i Houstoni kryeson ndaj pretendentëve të tjerë si Curry apo Lebron James.
Pak javë më parë, nuk do të ishin vënë shumë baste për të. James Harden po kalonte një periudhë të errët në fushën e lojës, ashtu si Houstoni, veçse kohët kanë ndryshuar. Lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, jo vetëm hyri përsëri në garë për të fituar këtë titull këtë vit, por mund të thuhet se ka dalë në krye.
Faqja zyrtare e NBA-së bën një analizë të pretendentëve për çmimin e lartë individual, dhe nxjerr kapitenin e Houston si favorit, pasi ndihmoi skuadrën të fitonte 12 nga 13 ndeshjet e fundit. I mbiquajturi “Mjekra” pati disa ndeshje radhazi me 40 pikë e më shumë të shënuara dhe i ka të gjitha mundësitë t’i lerë prapa gjithë yjet e tjerë.
Nuk do ta ketë edhe aq të lehtë, gjithsesi. Sipas NBA-së, në vend të dytë tani për tani, është superlojtari i Milwaukee, Janis Antetokumpo. Afrikani me pasaportë greke shkëlqeu edhe në mbrëmjen e fundit duke shënuar 30 pikë e duke kapur 10 topa në tabela, në suksesin 114-102 ndaj Utah Jazz, ndërsa paraqitjet e tij gjatë edicionit nuk kanë të sharë.
Antetokumpo po udhëheq thuajse i vetëm një skuadër që nuk ka forcën e Golden State, Houston apo Torontos, por që ndodhet në vendet e para të renditjes. Pretendentët e tjerë janë Stephen Curry, Lebron James dhe Anthony Davis. Ylli i Golden State është shënuesi i dytë më i mirë i NBA-së me mesataren 29.4 pikë për ndeshje, po ashtu është numri 2 për koshat tripikësh të shënuar, pas James Harden.
Më shumë falë tij, kampionët mbeten ende në pozita të forta, pavarësisht dobësisë poshtë koshit.Lebron James natyrisht nuk është një emër i ri në këtë garë. Kapiteni i Lakers synon titullin e pestë të lojtarit më të mirë të sezonit, dhe po bën maksimumin, edhe pse mosha dhe dëmtimi po e pengojnë disi, duke ndihmuar yje më të rinj si Anthony Davis i New Orleans-it./abcnews.al