Në bazën e KFOR-it në lagjen Dragodan të Prishtinës këtë të premte janë gjetur disa mbetje mortore.
Mediat bëjnë me dije se mbetjet janë nxjerrë në sipërfaqe nga disa eskavatorë të cilët po punonin në ndërtimin e një godine të re. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Antonio Minutella.
Sipas përgjigjes së tyre, nuk dihet se cilës kohë i takojnë mbetjet mortore e as se të sa personave mund të jenë ato.
“Gjatë punimeve të gërmimit për ndërtimin e një godine të re, me sa duket u gjetën mbetje njerëzore. Për momentin nuk dihen detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e KFOR.
Hetimet, sipas KFOR-it, janë duke vazhduar dhe janë duke u zhvilluar nga Policia Ushtarake e KFOR-it dhe Policia e Kosovës.
“Të gjitha provat i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, e cila është duke e zhvilluar hetimin e rastit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it./abcnews.al