Hapet East Gate i Shkupit, investimi shqiptar, më i madhi në Maqedoni

schedule18:51 - 29 Tetor, 2021

schedule 18:51 - 29 Tetor, 2021

Hapet në Shkup EAST GATE MALL, një investim i Grupit BALFIN, me vlerë prej 103 milionë eurosh. Qendra e re tregtare, e treta e Grupit BALFIN, mirëpret vizitorët nga vendi dhe rajoni, me një larmi mundësish për blerje dhe argëtim. East Gate Mall është një qendër gjithëpërfshirëse, e cila e pozicionon kryeqytetin maqedonas në hartat europiane e më gjerë të blerjeve.

Në ceremoninë e përurimit mbrëmjen e djeshme, krahas investitorëve të East Gate Mall, morën pjesë Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Stevo Pendarovski, Kryeministri z. Zoran Zaev, dhe Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, ministra të qeverisë, si edhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Gjatë ceremonisë, Samir Mane, President i Grupit BALFIN, shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin që mundësoi realizimin e investimit. “Po hapim dyert e një hapësire tregtare nga më të mëdhatë në Ballkan. Vizioni ynë për East Gate Mall është që të bëhet poli social dhe ekonomik i qytetit të Shkupit, një pikë referimi për qytetarët. Grupi BALFIN është një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në Maqedoninë e Veriut, por ne nuk ndihemi si të huaj këtu. Dua të falënderoj Maqedoninë e Veriut për klimën mikpritëse që u krijon investimeve të kompanive ndërkombëtare si Grupi BALFIN,” u shpreh ai në fjalimin e tij.

“East Gate Mall u ndërtuar në kohë rekord prej 26 muajsh, në kushte sfiduese, falë përkushtimit dhe kontributit të pashoq të 2.500 punonjësve. Dua të falënderoj gjithashtu edhe partnerët tanë për besimin,” tha Arsim Papraniku, Anëtar Bordi i Grupit BALFIN, i cili është personi që ka ndjekur më nga afër realizimin e këtij investimi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u shpreh i lumtur për kontributin që dha East Gate Mall në ekonominë maqedonase gjatë periudhës së pandemisë dhe që tani do ta kthejë kryeqytetin në një destinacion edhe më tërheqës për vizitorët e huaj.

East Gate Mall është personifikimi i një qendre tregtare origjinale dhe shumë-funksionale, me standarde europiane dhe stil arkitekturor të gjeneratës më të re. Ajo është gati të presë rreth 12 milionë vizitorë duke u transmetuar mesazhin “Qendra jeni ju”. E vendosur vetëm 5 minuta nga qendra e qytetit dhe shumë pranë autostradës M4, qendra e re komerciale e Shkupit shquhet për përmasa gjigante, me 5 kate, një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 160.000 m2, një hapësirë prej mbi 57.000 m2 për dyqane të shitjeve me pakicë dhe 2.000 vende parkimi. Plot 220 dyqane ofrojnë një zgjedhje prej mbi 600 markash, nga të cilat 40 prezantohen për herë të parë në vend.

East Gate Mall është pjesë e projektit Skopje East Gate, një investim prej 350 milionë euro i Grupit BALFIN në Maqedoninë e Veriut. Ky investim e bën Grupin BALFIN një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në këtë vend dhe Presidentin e Grupit, Samir Mane, një nga biznesmenët më të rëndësishëm dhe të suksesshëm në rajon.

Mes markave të shumta, në East Gate Mall ndodhet dyqani më i madh Zara në Ballkan, (Zara dhe Zara Home), si dhe emra të njohur botërorë e rajonalë si Reserved, Mohito, Sinsay, Cropp, House, Armani Exchange, Calvin Klein, Kiko Milano, Pandora, Mango Man-Woman-Kids, Patrizia Pepe, XYZ, Valentino, Tods, Furla, Neptun Electronics, Dsquared2, Massimo Dutti, De Facto, Madame Coco, Babor Cosmetics, Prenatal, Reserved, Oysho, The Athlete’s Foot, Twinset dhe shumë të tjera.

East Gate Mall është qendra e tretë tregtare e Grupit BALFIN në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e forcuar pozicionin udhëheqës të Grupit BALFIN në sektorin e tregtisë me pakicë në rajon. Portofoli i Grupit BALFIN përfshin zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj. Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Holandë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!