Milani po dëshmon se nuk është i varur nga Ibrahimovic

schedule17:24 - 29 Tetor, 2021

schedule 17:24 - 29 Tetor, 2021

Nëntë fitore e një barazim është bilanci i Milanit këtë sezon në Serie A.

Skuadra nga “San Siro” është përmirësuar edhe më shumë sesa sezonin e shkuar, kur pati një start prej dhjetë ndeshjeve pa humbje.

Këtë sezon, Milani ka një fitore më shumë se vitin e kaluar dhe një dallim të madh: ekipi nuk duket më plotësisht i varur nga sulmuesi Zlatan Ibrahimovic.

I ngadalësuar nga lëndimet, 40-vjeçari Ibrahimovic i ka luajtur vetëm katër ndeshje në Serie A këtë sezon dhe ka shënuar dy gola. Është kjo një shenjë pjekurie për një nga skuadrat më të reja në ligën italiane, që po ndjek titullin e parë në Serie A pas një dekade.

“Është një listë e shkëlqyer e lojtarëve. Të gjithë lojtarët janë të fortë dhe mund të kompensojnë mungesat që i kemi”, tha trajneri i Milanit, Stefano Pioli, pasi ekipi i tij është goditur nga lëndimet kohët e fundit.

Ndërsa Milanit i mungonte sulmuesi i dëmtuar Ante Rebiq, Ibrahimoviqi hyri në fushë vetëm katër minutat e fundit në triumfin 1:0 ndaj Torinos të martën mbrëma.

“Ne luftuam për çdo top sikur të ishte i fundit, gjë që duhet ta bëjmë në secilën ndeshje për shkak se në këtë sezon nuk ka ndeshje të lehta. Të gjithë kundërshtarët janë të vështirë”, shtoi Pioli.

Fitorja ndaj Torinos ishte e gjashta rresht për Milanin, për ta barazuar startin më të mirë në histori të klubit, që e kishte në sezonin 1954/55. Veterani francez Olivier Giroud, i cili shënoi golin e vetëm kundër Torinos, ka qenë një lojtar kyç këtë sezon. Simon Kjaer, një tjetër nga lojtarët e paktë të Milanit mbi 30 vjeç, ka qenë gjithashtu i rëndësishëm – siç e dëshmoi kur bllokoi tentimin e Torinos për ta barazuar rezultatin në fund të takimit.

Kjaerit, kapiten i Danimarkës gjysmëfinaliste të Kampionatit Evropian dhe njëri nga 30 kandidatët për “Topin e Artë”, iu dha një zgjatje e kontratës deri në vitin 2024, një ditë pas fitores me Torinon. Ndërsa të enjten Kjaer ka thënë se është nder për të që do të jetë pjesë e klubit kuqezi edhe për tre vjet të tjerë.

“Ëndrra ime është të fitoj diçka para se të largohem nga Milani. Jam optimist për këtë”, tha Kjaer.

Një titull sigurisht duket i arritshëm për Milanin, megjithëse vlen të përmendet se klubi ishte në krye të Serie A pas 21 ndeshjesh sezonin e kaluar dhe më pas u rrëzua nga Interi që u shpall kampion. E gjithë kjo ndodhi në muajin maj, kur Ibrahimoviq e dëmtoi gjurin e majtë.

Skuadra e Piolit duket më e ashpër këtë sezon. Në tri ndeshjet e fundit, Milani u rikthye nga disavantazhi për ta mposhtur Veronan (3:2) dhe Bolognan (4:2). Me Torinon, Milani pati vetëm dy goditje në portë, por në fund e fitoi ndeshjen. Portieri Mike Maignan, i cili u soll për të zëvendësuar Gianluigi Donnarumman e larguar, është jashtë fushës deri në janar pas operacionit në kyçin e majtë, por Ciprian Tatarusano ka ndërhyrë dhe e ka mbajtur portën të paprekur kundër Torinos. Një tjetër faktor kyç për Milanin ka qenë stabiliteti në stol, me Piolin në sezonin e tij të tretë pas një periudhe të trazuar që pa ndryshime të shpeshta të trajnerëve me Clarence Seedorfin, Filippo Inzaghin, Sinisha Mihajloviqin, Cristian Brocchin, Vincenzo Montellan, Gennaro Gattuson dhe Marco Giampaolon ,që e zëvendësuan njëri-tjetrin brenda një periudhe të shkurtër.

Mirëpo me ardhjen e Piolit duket se ekipi ka gjetur qetësinë. Stabiliteti ka përkuar me promovimin e ish-kapitenit të Milanit, Paolo Maldini, si drejtor teknik në vitin 2019. Milani, madje ka përgjysmuar humbjet financiare gjatë vitit të kaluar, pavarësisht pandemisë së koronavirusit. E vetmja ndeshje në Serie A që Milani nuk e ka fituar këtë sezon ishte ndaj Juventusit, me të cilin luajti 1:1 në muajin shtator. Test më të vështirë Milani këtë edicion ka pasur në Ligën e Kampionëve, garë në të cilën i ka humbur tri ndeshjet e fazës së grupeve. Mirëpo ekipin e Piolit e presin ndeshje edhe më të vështira dhe më të mëdha në kampionat. Të dielën, Milani luan të udhëtim te Roma e Jose Mourinhos përpara se të përballet me Porton në Champions dhe Interin në Serie A, javën e ardhshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!