SHBA/ “Hemoragji” në Pentagon, ikën komandanti i tretë

schedule14:40 - 6 Janar, 2019

schedule 14:40 - 6 Janar, 2019

Vendimet e presidentit Trump për tërheqjen e trupave nga zonat e luftës ka shkaktuar një hemoragji oficerësh në nivelet më të larta të Pentagonit. Më i fundit është shefi i stafit të Departamentit të Mbrojtjes, që ka vendosur të ndjekë gjurmët e ish-sekretarit Xhim Metis.

Shefi i stafit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Kevin Suini ka dhënë dorëheqjen nga posti, një muaj pas largimit të sekretarit Xhejms Metis. Admiral Suini është oficeri i tretë i lartë i Pentagonit që njofton largimin që kur presidenti Donald Trump shpalli vendimin për tërheqjen e trupave nga Siria. Në letrën e dorëheqjes, Suini falenderon kolegët e tij për bashkëpunimin, por nuk e përmend vendimin e presidentit. Ai e mbante këtë detyrë që prej janarit 2017 dhe sipas mediave amerikane, tani ushtaraku i lartë ka shprehur interesin për të punuar në sektorin privat. Sidoqoftë, largimi i tij rrit më tej ndjenjën e pasigurisë që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara pas vendimeve të administratës Trump mbi mbrojtjen dhe politikën e jashtme. Pavarësisht se sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk ka ende një datë për nisjen e tërheqjes nga Siria dhe Afganistani, njoftimi i kreut të shtetit ka alarmuar Perëndimin dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën. Situata ka detyruar sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo që të përgatisë për javën e ardhshme një vizitë në vendet e Lindjes së Mesme, për të qetësuar aleatët në rajon. më herët, zëdhënësja e Pentagonit Dejna Uajt dhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit në koalicionin global kundër Shtetit Islamik, Bret Mek Gurk dhanë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj deklaratave të Trump se ISIS ishte mposhtur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!