Të paktën dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Siçili. Reshjet e dendura të shiut përmbytën rrugët në qytetin e Catania të martën, bllokuan makinat dhe njerëzit në shtëpitë e tyre. Sipas të burimeve zyrtarë, 2 persona kanë humbur jetën dhe një rezulton i humbur. Trupi i një 67-vjeçari u gjet të hënën. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të bashkëshortes së 67 vjeçarit.
Të gjitha bizneset jo thelbësore janë urdhëruar të mbyllen deri të enjten për të reduktuar lëvizshmërinë pasi zona mbetet ende e rrezikshme. Kryetari i bashkisë së Catanias, Salvo Pogliese, ka mbyllur ndërkohë shkollat. Sipas një deklarate nga zyra e tij, “në 48 orë sasia e shiut që bie mesatarisht në një vit të tërë, ka rënë në Catania”.
Musumeci tha në deklaratën e tij se “Sicilia lindore po përjeton një fenomen për të cilin kemi frikë se, për fat të keq do të jetë gjithnjë e më pak sporadik, me skenarë tragjikë të destinuar të përsëriten”.
“Ndryshimet klimatike, brishtësia e territorit tonë dhe gjendja e paqëndrueshmërisë, shpesh të shkaktuar nga ndërhyrja njerëzore, janë faktorë që mund të kenë efekte vdekjeprurëse”, shtoi ai.
Ai theksoi se autoritetet rajonale kanë investuar mbi 400 milionë dollarë që nga viti 2018 për të luftuar paqëndrueshmërinë hidrogjeologjike dhe për të forcuar infrastrukturën kundër rrezikut të rrëshqitjes së dheut dhe erozionit bregdetar, “por nuk mjafton, nuk mund të mjaftojë për një klimë që është tropikizuar me shpejtësi”.
“Pa ndërhyrje të jashtëzakonshme, të cilat vetëm Bashkimi Europian mund t’i zbatojë, dhe pa vendime të guximshme që nuk mund të shtyhen nga G20 dhe COP26, situata nuk do të ndryshojë dhe për fat të keq numri i viktimave do të rritet,” paralajmëroi ai.
/abcnews.al