Skëndërbeu-Dinamo ishte ndeshja që përfundoi me fitoren e Dinamos, duke bërë kështu që Skëndërbeu të dilte pa pikë nga ky takim.
Tek skuadra korçare kanë rezerva për arbitrin e ndeshjes i cili sipas tyre nuk ishte në lartësinë e duhur për këtë takim, si dhe gjykoi në favor të “Bluve” të kryeqytetit.
Gjithçka kishte të bënte më një prekje të topit në zonë nga lojtarët e Dinamos dhe që nuk u dha 11-metërsh për “ujqërit e dëborës”. Për arsye teknikë sistemi VAR nuk funksionoi në Korçë dhe kjo irritoi edhe më shumë drejtuesit korçare.
Nëpërmjet një postimi në instagram ka reaguar edhe futbollisti i Skëndërbeut, Vangjel Zguro, i cili ka një mllef për arbitrat e ndeshjes.
“Jam krenar për këtë ekip dhe për këtë çuna, sepse sot dhamë maksimumin në fushë dhe nuk e merituam humbjen. Nuk mund të vijë një arbitër dhe të tallet me një ekip si Skëndërbeu. Unë nuk e di se ku i gjejnë këta lloj njerëzish, unë besoj tek ekipi dhe tek këta çuna, nëqoftëse do luajmë si sot rezultatet do vijnë. Veçse më të fortë na bëni, o ju njerëz që shkelni mbi djersën e lojtarëve. Zoti lart iu shikon, herët ose vonë iu vjen dita”, shkruan Zguro.
/f.a/abcnews.al