Komisioni i Venecias, në një raport të dërguar palëve, la në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit 2019 dhe nuk e këshilloi Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë ato. Në raport thuhej ndër të tjera se bojkoti i PD-së në atë kohë nuk është arsye që zgjedhjet të mos mbahen çdo 4 vjet, siç Kushtetuta parashikon periodicitetin e tyre.
Duke komentuar këtë opinion, Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së në “Log” me Endri Xhafon u shpreh se kryesisht institucionet i kanë respektuar këshillimet e bëra nga Venecia. Po ashtu, Kume deklaroi se dihet tashmë se janë struktura të tjera, dhe jo Gjykata Kushtetuese, që kanë detyrën për të vërtetuar ligjshmërinë e një procesi zgjedhor.
“Pra problemi është i zgjidhur…Për mua ata që e shkaktuan këtë gjë, ata që nuk morën pjesë në proces zgjedhor, humbën mundësinë që të ankoheshin në Kolegjin Zgjedhor. Opinioni këmbëngul, se me këtë legjistlacionn që keni, Gjykatës Kushtetuese ia keni hequr të drejtën të gjykojë ligjshmërinë e procesit, por ka kushtetueshmërinë e procesit….”
Ndërsa, duke kaluar tek zgjedhjet e ardhshme lokale dhe reforma territoriale, Kume u shpreh se do të ishte një gabim i madh nëse harta do të ndryshohej në interes të dy forcave kryesore politike në vend. Për këtë, sipas tij, duhet këshillim me ekspertë qoftë vendas apo të huaj.
Të ftuarit në studio komentuan edhe vizitën e kongresmenëve amerikanë në Selinë Blu. Për Dashamir Shehin kjo ishte një vizitë rutinë, normale. Sipas tij, është i gabuar perceptimi se miqtë e amerikanëve në Shqipëri janë socialistët.
“Kjo është një vizitë normale, këtu është krijuar një perceptim i gabuar sikur këtu miqtë e Amerikës në shqipëri janë socialistët. Ne mund të kemi gabuar gjatë rrugëtimit tonë, pse ju duket çudi që po vijnë amerikanët te qendra e djathtë?” /abcnews.al/