“Dhimbja e vetëvrasjes”, mos i neglizhoni çrregullimet e nervit trigeminal

schedule11:39 - 14 Tetor, 2021

schedule 11:39 - 14 Tetor, 2021

Nervi trigeminal është nervi përgjegjës për ndjeshmërinë e lëkurës. Dhimbjet që shkakton ky nerv në rast çrregullimesh, njihen ndryshe si dhimbjet e vetëvrasjes. Mjekja neurologe e Spitalit Amerikan 3 Ina Buxhelaj, thotë se nëse kjo patologji nuk trajtohet, dhimbjet që përjetojnë pacientët, janë aq të mëdha sa ka pasur raste vetëvrasjesh.

“Është një ndër dhimbjet më të forta që mund të përjetojë pacienti. Njihet ndryshe si dhimbja e vetëvrasjes, e cila mund të shkaktojë çrregullime të humorit, depresion dhe në shumë raste, kur nuk është trajtuar ashtu siç duhet apo kur nuk është arritur dominimi i dhimbjes nga procedurat mjekësore, janë raportuar dhe raste të vetëvrasjes.”, tha neurologia.

Për fat të mirë ka metoda të cilat mund ta trajtojnë këtë patologji. Sipas mjekes janë 3 lloje trajtimesh, mes të cilave edhe kirurgjia.

“Hapi i parë është trajtimi medikamentoz, e dyta është blloku i nervit trigeminal nëpërmjet injeksionit me anestetikë që ndihmon pacientin që në ditën e parë që bën infiltrimin të perceptojë më pak dhe në ditët në vazhdim, në tre javët e para të bëhet pa dhimbje. Hapi tjetër është kirurgjia, e cila bën zgjedhjen definitive dhe më afatgjatë për personat që nuk kanë pasur përfitim nga dy procedurat e mëparshme.”, shtoi ajo.

4 persona nga 100.000 vuajnë nga kjo patologji. Më të predispozuara për t’u prekur janë femrat. /abcnews.al