Stefën Kerri shpëtoi Golden Stejtin, me një kosh në sekondën e fundit

schedule17:18 - 24 Dhjetor, 2018

schedule 17:18 - 24 Dhjetor, 2018

Stefën Kërri u bë shpëtimtar për Golden Stejtin, duke shënuar në sekondën e fundit. Skuadra kampione mundi Klipersat, por gjithsesi po kalon një sezon tepër të vështirë në basketbollin amerikan

Kishte mbetur vetëm gjysmë sekonde, dhe ndeshja ishte në barazim në “Orikëll Arena” (Oracle Arena). Golden Stejti, aq i fuqishëm, nuk po mundej të kalonte dot Los Anxhelos Klipersat në fushën e vet, dhe nuk i kishin bërë punë as pikët e shumta të Stefën Kërrit e Kevin Durantit. Pikërisht në atë gjysmë sekonde, Kërri lëshoi gjuajtjen e fundit, duke i shpëtuar mbulimit të mbrojtësve gjigandë, dhe arriti të shënonte koshin e fitores. 129-127!

Në një ligë që pëlqen sulmin dhe jo mbrojtjen, kaq shumë u shënuan pa pasur nevojë për kohën shtesë. Kërri realizoi 42 pikë gjithsej, Kevin Durant “i mbajti ison” me 35 pikë e 12 topa në tabela, Drejmond Grin i shënoi 14 pikët e tij, dhe kapiteni Tompson edhe 12 të tjera. Në pritje të Kouzinsit që po kalon dëmtimin, kampionët po ngjisin shkallët dalë nga dalë, por kjo NBA është bërë shumë e vështirë. Skuadra nga Kalifornia nuk po bën dot diferencën si vitet e kaluara, qoftë edhe në krahasim me vjet, kur rival i vetëm në sezonin e rregullt ishte Hjustoni. Kjo, edhe pse Kërri e Duranti janë ndër shënuesit më të mirë të ligës. Këtë edicion, plot 11 skuadra janë pranë e pranë, në të dyja konferencat. Golden Stejti është në vend të dytë në Perëndim, me një humbje më shumë sesa Denveri. /abcnews.al