Minoritari Konstantinos Katsifas rikthehet sërish në çështje nga mediat greke. Pak ditë pasi prokuroria e Gjirokastrës pushoi hetimet duke e cilësuar vetëvrasje dhe gjykata e ktheu dosjen, gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një artikull minoritarit që vdiq në Bularat tre vite më parë.
Ekzaminuesi mjekësor që kontaktoi familja minoritare nga Bularati i Gjirokastrës për të ndjekur çështjen u shpreh se rasti nuk mund të cilësohet vetëvrasje. “Vendimi i prokurorit është një tallje.
Askush nuk bën vetëvrasje duke qëlluar veten dy herë në zemër” tha ai. Eksperti që mori familja e Katsifas, ishte njëri nga personat që u lejua që të shikonte trupin e pajetë në morg tre vite më parë. “Imazhi i trupit nuk tregonte vetëvrasje” tha ai.
“Kathimerini” shkruan se tre vite më parë dy oficerë grekë patën takime me ndërlidhësin e policisë greke në Tiranë, zyrtarë të ambasadës greke, por edhe kreun e policisë shqiptare, i cili sipas tyre kishte dhënë një informacion të detajuar mbi ngjarjen.
“Ajo që u tha ishte se policia shqiptare veproi në përputhje me rregullat dhe hapi zjarr ndaj Katsifas ndërsa ata ishin në kushtet e mbrojtjes. Askush nuk përmendi asgjë për vetëvrasje” tha një burim i policisë për gazetën greke.
“Megjithatë, ekzaminuesi mjekësor shqiptar që kishte kryer autopsinë në raportin e tij, i cili përfshihet në dosjen e çështjes i atribuon vdekjen e 35-vjeçarit vetëvrasjes” mbyllet artikulli, por jo debati./ db/Abcnews.al