Një lumë llave e nxehtë që dilte nga vullkani Cumbre Vieja në ishullin spanjoll La Palma përfshiu një fabrikë çimentoje duke ngritur një re të dendur tymi në vend. Për këtë arsye, autoritetet u detyruan që të urdhërojnë banorët që të karantinohen.
Shërbimi lokal i urgjencës udhëzoi banorët në qytetet El Paso dhe Los Llanos de Aridane të qëndrojnë brenda, dhe të mbyllin dritaret dhe pajisjet e ajrit të kondicionuar për të shmangur thithjen e tymit toksik nga uzina që po digjej ndërsa “gëlltitej” gradualisht nga llava.
“Mbylluni, nëse është e mundur, në dhomat më të brendshme,” tha shërbimi i urgjencës përmes një postimi në Twitter.
Miguel Angel Morcuende, drejtori teknik i Planit të Emergjencave Vullkanike të Ishujve Kanarie tha se zjarri në uzinën “kishte prodhuar një tym shumë të dendur që ndot ajrin”.
Zona e prekur nga llava në shpërthimin që nisi i më 19 shtator është zgjeruar me 10 për qind brenda natës, duke arritur në gati 600 hektarë, tha ai.
Pas rrëzimit të pjesshëm të konit të vullkanit të shtunën, një lumë i ri llave është duke rrjedhur drejt detit duke “gllabëruar” plantacionet e bananeve dhe avokados dhe shumicën e shtëpive të mbetura në qytetin Todoque. /abcnews.al/