Talebanët: Nuk do të bashkëpunojmë me SHBA-në në luftën kundër ISIS

schedule15:55 - 10 Tetor, 2021

schedule 15:55 - 10 Tetor, 2021

Talibanët thonë se nuk do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të luftuar anëtarët e Shtetit Islamik (IS) dhe grupet e tjera ekstremiste në Afganistan.

“Ne do të jemi në gjendje që të përballemi vetë me Daesh-in”, tha për AP-në zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, duke iu referuar IS-it me akronimin në gjuhën arabe.

Zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e lartë të talibanëve po takohen në Doha të Katarit. Ky është takimi i parë kokë më kokë ndërmjet dy palëve që prej se grupi islamik mori kontrollin e Afganistanit pas tërheqjes së trupave perëndimore.

Zyrtarët amerikanë ende nuk kanë komentuar për takimet, që u mbajtën më 9 tetor dhe janë planifikuar të mbahen edhe më 10 tetor.

Që prej se morën kontrollin e Afganistanit, liderët talibanë dhe të tjerët kanë qenë subjekt i sulmeve vdekjeprurëse, përgjegjësinë e të cilave e ka marrë Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), që është degë lokale e IS-it.

Sulmi më i përgjakshëm, për të cilin IS-K ka marrë përgjegjësinë ishte sulmi vetëvrasës jashtë një xhamie shiite në provincën afgane të Kunduzit më 8 tetor, ku është raportuar për mbi 100 persona të vrarë dhe të lënduar.

Në takimet me talibanët, zyrtarët amerikanë kanë thënë se do t’iu bëjnë presion atyre që të zotohen që do të lejojnë evakuimin e qytetarëve të huaj dhe të gjithë afganëve që duan të largohen nga shteti.

Po ashtu, zyrtarët amerikanë kanë thënë se bisedimet e drejtpërdrejta me talibanët nuk nënkuptojnë që Uashingtoni është i gatshëm që ta njohë qeverinë e udhëhequr nga talibanët.

Al-Jazeera citoi Ameer Khan Muttaqi, që talibanët e kanë emëruar ministër të Jashtëm, të ketë thënë se talibanët kanë kërkuar nga SHBA-ja që të heqë ndalesat për rezervat e Bankës Qendrore afgane.

Pas marrjes së kontrollit të shtetit nga talibanët, SHBA-ja ngriu pothuajse 9 miliardë vlerë të aseteve të Afganistanit, që ka çuar në mungesë të parave dhe rritje të lartë të çmimeve të ushqimeve bazike dhe të karburantit./ REL