Deputeti demokrat Saimir Korreshi, në seancën e sotme plenare, numëroi një mori problemesh që has Lushnja në lidhje me sistemin shëndetësor dhe atë arsimor sidomos gjatë pandemisë.
Korreshi i mëshoi faktit se në spitalin e Lushnjes nuk jepet asnjë shërbim, përveç synetllëqeve, kurse shkollat sipas tij janë në kushte skandaloze.
Këto fjalë të Korreshit shkaktuan sërish reagime në sallë, ashtu si edhe herën e fundit, ndërsa për të mos përsëritur “gabimin” e parë, deputetët demokratë u përpoqën të merreshin me diçka tjetër ndërkohë që ai fliste. Gjekmarkaj vuri kufjet, Dashnor Sulaj nuk e mbajti të qeshurën, kurse Alibeaj ia arriti duke u sforcuar shumë.
Në fjalën e tij, Korreshi sqaroi se opozita gjithnjë ka qenë pro vaksinimit, por shtoi se deri dje në dispozicion ishin vetëm vaksinat kineze. Sipas tij, në Lushnje për të bërë vaksinën e Pfizer duhet “mik i fortë” dhe për të bërë një skaner duhet të presësh të paktën katër javë.
“Në Lushnje për të bërë Pfizer duhet ndërhyrje, për një skaner duhen 4 javë. Nuk punon priza, nuk ka lëng për të bërë skanerit, sa do presin këta njerëz për t’ua diagnostikuar?”
Nuk munguan as akuzat për drejtuesit e Spitalit të Lushnjës për të cilët tha se në kulmin e pandemisë “kishin hallin e tenderit të urgjencës.”
“Asnjë s’e merr në dorëzim, thonë se ka shkuar 250 milionë. Një kërkesë kam, vetëm kohën që harxhoni në parukeri u them të vini në Lushnje. Qeshët me minjtë, sot s’po gjen mace, i kanë çuar të gjithë te spitali. A e dini që infermierët po gëzojnë se jemi në kushte pandemia se bëjnë shërbime jashtë dhe kërkojnë nga 50 mijë lekë.Spitali i Lushnjës është kthyer në një spital që bën vetëm synetlliqe dhe ndonjëherë të apandecitin.”
Kurse duke folur për shkollat, deputeti i Lushnjës tha se jo vetëm masa që nuk janë marrë por as maska nuk ka për shkollat. Sipas tij, kushtet janë të mjerueshme në institucionet e arsimit.
Për krizën aktuale të paralajmëruar, duke shpjeguar se nuk i kupton mirë shifrat, kishte vetëm një lutje: “Do t’u lutesha ta provoni një muaj me rrogën tuaj të parlamentit nëse do t’ia dilni në fund të muajit.” /abcnews.al/