Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të enjte ka bërë me dije se shumë shpejt do të rinumërojë 10% të kutive të votimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Kodi Zgjedhor përcakton që rishqyrtimi i 519 kutive bëhet për të verifikuar rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë zgjedhjeve.
Ndër të tjera në mbledhjen e sotme KQZ u vendos që këqyrja të bëhet në 10% të çdo ZAZ-je përveçse në atë numër 40, ku u bë votim elektronik dhe numërim elektronik.
Do të bëhet këqyrja me qëllim për të parë nëse janë kryer parregullsi apo pasaktësi në veprimtarinë e administratës zgjedhore përgjatë procesit të numërimit të votave.
“Këqyrja lejohet të bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar. Ky rregull nuk vlen për këqyrjen që bëhet në kuadër të procesit ankimor, si mjet për sigurimin e provës” thuhet në nenin 167/2 të Kodit Zgjedhor që përcakton edhe rregullat sesi duhet kryer rinumërimi./abcnews.al