Gucati dhe Haradinaj rideklarohen të pafajshëm, gjykatësi i paralajmëron

schedule13:12 - 7 Tetor, 2021

schedule 13:12 - 7 Tetor, 2021

Mjeku pneumolog Arjan MeziniGucati dhe Haradinaj rideklarohen të pafajshëm, gjykatësi i paralajmëron se mund të përjashtohen nga gjykimi

Sot ka nisur gjykimi në rastin e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Të dy, janë deklaruar të pafajshëm kur janë pyetur sot nga kryetari i trupit gjykues.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, përpara se t’i përgjigjej pyetjeve të rëndomta të kryetarit të trupit gjykues, shprehu dëshirën për të lexuar diçka. Por, kryetari i trupit gjykues nuk e la, duke i thënë të përgjigjej në pyetjet e shtruara, sepse, “do të ketë kohë më pas për gjërat e tjera”.

“Para se të deklarohem, do të kisha pasur dëshirë të mi jepni dy minuta kohë për të lexuar diçka për biografinë time”, tha Gucati.

Kur u pyet për ta konfirmuar deklarimin e tij rreth fajësisë për akuzat e paraqitura, Gucati pohoi për ta konfirmuar deklarimin e tij si i pafajshëm në paraqitjen e parë të tij para kësaj gjykate.

“I pafajshëm jam plotësisht”, tha edhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Paraprakisht, ai tha se s’mund t’i kuptojë akuzat kundër tij.

“Unë as nuk mund ta kuptoj, por atë që e lexuat e kuptova”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i trupit gjykues më pas i njoftoi Gucatin dhe Haradinajn lidhur me të drejtat e tyre gjatë procesit gjyqësor, si dhe i paralajmëroi se mund të përjashtohen nga gjykimi në rast se nuk sillen mirë.

“Nëse ju nuk silleni mirë pas një paralajmërimi të dhënë, një sjellje e tij mund të rezultojë me largimin tuaj nga salla. Nëse kjo ndodhë, atëherë ju do të përfaqësoheni nga avokatët”, tha kryetari i trupit gjykues.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./Express