Nuk ka munguar ngritja e zërit në Kuvend pasi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka replikuar me kryedemokratin Lulzim Basha për çështjen e shifrave të fataliteteve gjatë pandemisë.
Gjatë fjalës së tij më herët, Basha u shpreh se qeveria ka dështuar me menaxhimin e pandemisë ndërsa shtoi se janë dhënë shifra të rreme lidhur me vdekjet dhe vaksinimet. Këto deklarata sollën edhe reagimin e ministres.
Manastirliu e akuzoi opozitën se e kanë kthyer vdekjen në refren dhe se kanë “ 18 muaj që hedhin vallen e vdekjes.”
“E keni kthyer vdekjen në refren, keni 18 muaj që hidhni vallen e vdekjes. Pse këmbëngulni me kaq kënaqësi. Akuzat shterpë nuk mund të jenë fakte. Shifrat nuk mund të jenë opinion. Studioni më shumë për fatalitete, mos fërkoni barkun, por të bashkohemi të gjithë së bashku. Mos provoni të akuzoni për vdekje të fshehta…nëse nuk do të kishin qenë të fshehura, nuk kishte si të binin në duart tuaja për t’i tundur në ajër. Humbja ka qenë e thellë ju kuptojmë, por nuk ju ndihmojmë dot.”
Deklaratat e ministres e shtynë kryedemokratin që të çohej nga vendi i tij dhe të merrte fjalën në foltore. sb/abcnews.al/