Nëse pretendojmë për një zhvillim të qëndrueshëm agrar, nevojitet përmirësimi i produktivitetit në bujqësi, përmes politikave të duhura bujqësore dhe mbështetjes nga ana e qeverisë. Në emisionin Bardh a Zi në ABC zv.ministri i Bujqësisë Dhimo Kote ka deklaruar se këtë vit do të ketë 20 milionë euro mbështetje për bujqësinë në vend, duke e cilësuar atë si të konsiderueshme.
“Unë kam bërë me gjithë veterinerët censusin real të blegtorisë. Ka rënie dhe shkëputje. Ne i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Nëse qytetarët do ta dinin se domatja në Greqi është me e lirë se në Shqipëri, s’do ta eksportonim. Ka rreth 20 mln euro mbështetje për bujqësinë këtë vit, megjithë investimet e tjera në blegtori”, tha Kote.
Nga ana tjetër kryeinspektori i Përgjithshëm pranë kryeministrisë Shkëlqim Hajdari ka deklaruar se subvencionimi i fermerëve në Shqipëri në raport me rajonin është në nivele më të ulëta dhe theksoi se ka nevojë të rritet.
“Po ta shohim subvencionimin e fermerëve në Shqipëri në raport me rajonin ne jemi shumë poshtë. Ne kemi rezultate pozitive në sektorin e fruta perimeve. Blegtoria është shumë poshtë dhe duhet të rriten subvencionet”, shtoi Hajdari.
Edhe sipërmarrësi, mjek veteriner Ervin Resuli ka deklaruar se subvencionet duhet të rriten që të mbështesim fermerët dhe rrisim konkurrencën me vendet e rajonit. Lidhur me deklaratën e Kotes, Resuli i tha se ai nuk e njeh mirë ekonominë.
“E njef mirë mandarinën po s’e njeh bujqësinë, në momentin që ke hyrë në politikë njërin sy e ke vetëm për politikën”. /be.k/abcnews.al