Liberalët dhe “SPD” bisedime “konstruktive” për koalicion qeverisës në Gjermani

schedule23:04 - 3 Tetor, 2021

schedule 23:04 - 3 Tetor, 2021

Demokratët e lirë të Gjermanisë (partia FDP), palë që mund të ketë një rëndësi të veçantë në negociatat për të formuar një qeveri të re koalicioni, thanë se bisedimet të dielën me fituesit e zgjedhjeve, social demokratët, ishin konstruktive, por u përballën me pengesa për të krijuar një aleancë.

Një rezultat i ngushtë në zgjedhjet e së dielës së kaluar, ku asnjëra parti nuk fitoi një shumicë të konsiderueshme, ka nisur një periudhë bisedimesh për koalicionin, që mund të zgjasin me javë ose muaj, me FDP në dhe të gjelbrit që po shqyrtohen nga partitë më të mëdha si partnerë të mundshëm për të siguruar një shumicë parlamentare.

Anketimet tregojnë se votuesit preferojnë që social demokratët e qendrës së majtë (partia SPD), të cilët fituan më shumë vota në zgjedhje, të udhëheqin një koalicion me FDP-në miqësore ndaj biznesit dhe të gjelbrit. FDP-ja megjithatë, është më afër konservatorëve të Kancelares Angela Merkel.

“Është e qartë se ka pengesa,” tha Sekretari i Përgjithshëm i FDP-së Volker Wissing pas bisedimeve të së dielës me SPD-në. “Por është gjithashtu e qartë se ne jemi të vendosur të ndërtojmë një qeveri të orientuar drejt reformave që do ta përparojnë vendin tonë”.

“Ne kemi nevojë për një qeveri të qëndrueshme që do të merret me gjërat që ende nuk janë bërë,” shtoi ai.

Voker Wissing dhe Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil, duke qëndruar krah për krah, i përshkruan bisedimet e tyre si “konstruktive”.

Kandidati i konservatorëve për kancelar, Armin Laschet, ka thënë se ai gjithashtu dëshiron të formojë një qeveri, edhe pasi blloku i kristianëve demokratë të zonjës Merkel (partia CDU) dhe Unionit Social Kristian (CSU) patën një rezultat të ulët rekord në zgjedhjet kombëtare.

Por kandidatura e zotit Laschet u dëmtua nga udhëheqësi i CSU-së bavareze, Markus Soeder, i cili tha javën e kaluar se SPD-ja, e cila siguroi pak më shumë vota, ka shumë të ngjarë të formojë një qeveri.

“CDU-ja dhe CSU-ja duhet të sqarojnë vërtet nëse duan të formojnë një qeveri,” tha kreu i FDP-së Christian Lindner për gazetën Bild am Sonntag.

Konservatorët dhe FDP-ja do të zhvillojnë bisedime në tentativë më vonë të dielën. SPD-ja gjithashtu do të takohet me të gjelbrit.

Të gjelbrit do të preferonin dy “lojtarë” më të vegjël për t’u bashkuar me SPD-në, të cilët janë nga skajet e kundërta të spektrit politik dhe në kundërshtim për një sërë çështjesh.

Kancelarja Merkel, në pushtet që nga viti 2005, planifikon të japë dorëheqjen sapo të formohet një qeveri e re dhe do të qëndrojë në post deri në atë pikë./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!