Reshje e borës shkaktojnë problemet e para në zonat e thella

schedule14:32 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 14:32 - 18 Dhjetor, 2018

Reshjet e borës në Kukës, Dibër dhe Korçë, nuk kanë hapur probleme ne qytete, por në zonat e thella është vështirësuar qarkullimi sikurse disa fshatra janë të izoluara. Vetëm në rajonin e Kukësit janë angazhuar 38 makina për pastrimin e segmenteve, kurse një pjesë e Lurës në Dibër është e bllokuar.

Dibër- Bora ka hapur probleme në zonat e thella të Dibrës. Aty ku trashësia e saj ka arritur më shumë se 30 cm, lëvizja bëhet me vështirësi. Zona e Lurës është thuajse e izoluar, ashtu sikur edhe disa fshatra të Selishtes. Rruga Peshkopi – Tiranë është e qarkullueshme dhe është hedhur kripë, por Peshkopi-Kala e Dodës lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë.

Kukës- 38 mjete e 64 punëtorë janë vënë në dispozicion të rrugëve në Kukës për shkak të borës. Në Rrugën e Kombit qarkullohet pa zinxhirë dhe në dispozicion të saj janë 13 borëpastruese e 2 fadroma për heqjen e dëborës.

Korçë- Reshje në Korçë kanë qenë të shoqëruara dhe me ngrica dhe për këtë arsye në disa rrugë ka patur probleme. Trashësia e borës në rrugën Boboshticë –Dardhë shkoi 25 cm dhe policia u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të lëviznin vetëm me zinxhirë./abcnews.al