VETTING-Bulqiza, si ëndërr e keqe

schedule21:00 - 2 Tetor, 2021

schedule 21:00 - 2 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

Heshtja ka kapluar Bulqizën duke bërë që edhe ky vit t’ua ngjajë atyre paraardhës. Vështrimin drejt saj, pronarët e pasur e kthejnë veçse për kromin, “gurin e zi me xixa”, që u shton peshën “xhepave” të tyre. Ndërsa politikanët, indiferencën prej dekadash e thyejnë me një heshtje simbolike, ndaj tragjedisë së radhës, madje edhe atë janë gati ta mohojnë në emër të proçedurave parlamentare.

Në 23 qershor, ata pas një ngurrimi aspak human, mbajtën një minutë heshtje për të ndjerin Muharrem Plaku. Minatorin 61-vjeçar që u shua këtë mes shtatori në galeritë e Bulqizës, ndërsa i ishte rikthyer punës në miniera për të shlyer një kredi. E gjithë skena e nderimit një minutësh, të kujton nderimin e munguar ligjërisht  të deputetëve gjatë këtyre tri dekadave, ndaj Plakut e kolegëve të tij. Statusi i mohuar është plaga e shumë bulqizakëve që kanë humbur familjarin minator, e cila nuk mund të zëvendësohet me trajtimin financiar të ligjit 29/2019, që nuk është tjetër veçse arnim i ligjeve të vjetra. Siç tregojnë minatorët për “Vetting” çdo përpjekje për ta fituar këtë status si shumë profesione të tjera që kanë një shkallë vështirësie më të ulët, është shtypur që në lindje.

Pushimet nga puna, ka qenë përgjigjia e beftë e administratorve të minierave, ndaj çdo proteste, apo “internimi” i tyre i përkohshëm në miniera të largëta, siç ka ndodhur në rastin e ish minatorit Ferhat Kurti. Ndonëse aksidentet në miniera, ndodhin edhe për shkak të riskut të lartë të punës, heshtja ndaj masave të ulëta të sigurisë në punë, bën që numrat e të lënduarve në minierat e Bulqizës të shtohen edhe më tepër në raportet e Inspektoriatit të Punës si dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në miniera. Besimin tek drejtësia e kanë humbur. Siç rrëfejnë gjatë dekadave vite në punë, nuk kanë hasur asnjë rast ku subjekti minerar, pronari apo administratorët të jenë ndëshkuar me ndonjë masë serioze. Krahas dëmtimeve apo vdekjes, në rastet fatale, miniatorëve viktima u është lënë edhe faji i aksidenteve.

Dënimi ligjor, siç ata rrëfejnë, prek vetëm hallkat e brishta, siç janë brigadierët, përgjegjës të turnit. Por, siç shtojnë më tej, e vërteta e disa prej ngjarjeve tragjike për të cilat është folur në Bulqizë, ka mbetur e pazbardhur, për shkak të fshehjes apo manipulimit që i është bërë. E megjithatë, minatorët, të lënë në mëshirë të fatit, e dëshmimtar të këtyre ndodhive, nuk duhet ta ndërpresin punën në miniera. Vëmendja tek ata, kthehet vetëm në tragjedinë e radhës. Nën presionin e volumit punës që rritet, e pagës që mbetet e ulët, nuk mund të bëjnë tjetër veçse të heshtin. Kush mundet, kryesisht të rinjtë po i drejtohen dita-ditës emigrimit. Lulzim Alla, është një nga minatorët e rinj, të brezit të tretë, gjithashtu anëtar i Sindikatës së bashkuar të Minatorëve të Bulqizës, që tregon se si Bulqiza po shuhet dita-ditës e minatorët nuk mund të bëzajnë për shkak të presionit, ku kërcënohen me bukën e përditshme.

Ai thotë se qeveritarët janë bërë njësh me pronarët dhe minatorët janë braktisur tërësisht. Privimi nga paga deri në një vit, është një tjetër fakt tronditës për të cilin minatorët bulqizakë që po e vuajnë nuk mund të flasin, në rastin më të mirë, prej frikës së papunësisë që është ulur këmbëkryq në qytet. Një faktor që bëhet nxitës shtesë i emigracionit, e Zyrat e Punës, me kërkesat e punonjësve të kualifikuar mund të bëjnë pak. Keqmenaxhimin e paunifikuar të subjekteve minerare të Bulqizës, e rrëfen për “Vetting” edhe ish-drejtuesi i saj, Martin Cukalla. Inxhinieri vë theksin tek domosdoshmëria për të hapur burime të reja, si dhe tek shpërfillja që po u bëhet specialistëve. Këto ngërçe, sipas tij duhen zgjidhur nga shteti, që pasojat fatale tek minatorët, të mos shtohen.

Minierat e Bulqizës, nuk fshehin vetëm kromin e minerale të tjera, por edhe sekrete të errëta të tragjedive, që duhen zbardhur e parandaluar. Në këtë dokumentar, minatorët rrëfejnë çka ndodh brenda galerive dhe kërkojnë që të kenë një status, siguri për jetën, të drejtën për të folur pa u pushuar e kërcënuar. Kërkojnë t’u rikthehet dinjiteti, ndërsa ushtrojnë zanatin më të vështirë në botë. Kërkojnë gjumin e munguar të nënave, që portretet e bijëve minatorë, i shohin netëve përmes ëndrrave të këqija, ndërsa u përshpërisnin prej nën tokës : “Ah, moj nënë, kush i qan hallet tona!”