Pasi marrëveshja Kosovë-Serbi për reciprocitetin e targave ka filluar të zbatohet, ka reaguar ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, i cili thotë se të dyja vendet kanë bërë progres në zgjidhjen e këtij tensioni të nisur prej 13 ditësh.
Përmes Twitter-it, Giacobbe ka deklaruar se forcat e KFOR-it në pika kufitare janë aty përkohësisht dhe se presin që brenda 2 javësh funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Tashmë siç nënvizon Giacobbe, është koha që të ecet përpara dhe të ketë riangazhim në dialogun mes Kosovës e Serbisë
“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia që po implementojnë në kufi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja. Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara dhe të ketë riangazhim të përkushtuar në dialog”, thuhet në reagim.
Sot janë zhbllokuar rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në veri, Jarinë dhe Bërnja, ku është kthyer qarkullimi i lirë i automjeteve. Me largimin e kamionit të fundit dhe tendave, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga pjesa veriore e Kosovës, duke ia lënë në dorë situatën forcave të KFOR-it.