Për mbi 60 minuta, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit Zgjedhor të forcës politike që drejton, theksoi misionin dhe qëllimin kryesor sipas tij të partisë që u krijua nga vlerat njerëzore dhe morale në kërkim të zhvillimit dhe integrimit. E pikërisht në funksion të këtij zhvillimi dhe integrimi, vendi ka sot më shumë se kurrë nevojë për një brez të ri politik, sipas Bashës.
“Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re”, tha Basha.
Për kryedemokratin mbetet sfida më e madhe e kësaj partie, misioni për kthimin e besimit të shqiptarëve tek aftësia për t’u vetëqeverisur, dhe forca për të kontrolluar qeverinë.
“Hapi i parë drejt këtij qëllimi, detyra e parë për ne demokratët është që partia jonë, Partia Demokratike të jetë një parti e vërtetë demokratike, europiane”, u shpreh Basha.
Me këtë qëllim Partia Demokratike ka ndërmarrë ndryshimin e thellë të vetvetes duke theksuar edhe më dallimin me kundërshtarin politik, sipas Bashës.
“Partia jonë është e para parti në Shqipëri në të cilën të gjithë drejtuesit organizativë janë të zgjedhur në mënyrë të ndershme dhe të lirë me votën e anëtarëve. Është e vetmja parti ku anëtarët zgjedhin drejtuesit e tyre. Në muajt e ardhshëm, ne do të prezantojmë zgjedhjet primare brenda partisë. Në organizim dhe vendim-marrje, PD do të ketë standart lirinë, hapjen, mundësitë për të gjithë dhe konkurencën e lirë. Ne po ndërtojmë mekanizmin e vlerësimit paraprak për të gjithë ata që duan të konkurojnë për kandidatë për poste publike”, tha ai.
Dallimin me kreun e qeverisë e bën në nivel njerëzor e më pas politik, duke iu drejtuar kujtdo që pretendimet ndaj tij i çon në nivelin ku qëllimi justifikon mjetin.
“Hapja dhe konkurenca e lirë në PD janë parime të shenjta që ne i kemi vënë në themel të partisë sonë. Kjo hapje do të thotë që kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribojë, ka vendin e vet brenda PD-së. Por kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet. Kontribut do të thotë të punosh dhe mbeshtetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë. Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD, dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë: ejani bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju”, u shpreh Basha.
Një mesazh për demokratët e pakënaqur.
“Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që Partia Demorkatike të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi”, tha ai.
Kurajo është të punosh çdo ditë, thekson Basha, të kërkosh llogari e drejtësi çdo ditë, të denoncosh çdo ditë të keqen, të demashkosh hajdutërinë çdo ditë dhe është kjo sipas tij mënyra për të larguar kreun e qeverisë, dhe ofrimin e një alternative të shëndoshe opozitare, përgjegjësi kjo e partisë demokratike ndaj shqiptarëve, thekson kreu i demokratëve./abcnews.al