Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në konferencën me gazetarët se edhe pse ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Europian për mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare brenda këtij viti është i përgatitur për çdo lloj skenari. Rama tha se tashmë e ka të qartë se edhe pse mund të ketë pëlqimin e shteteve anëtare, vetëm një i tillë mund të të pengojë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
“Presidentja e tha dhe më parë e përsëriti dhe në përgjigjen e dhënë që ka objektiv që para përfundimit të vitit të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare që Shqipëria të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim. Unë e kam thënë edhe më parë. Nuk vë bast më për asnjë datë dhe afat dhe pres me qetësinë e plotë si rastin kur ndodh si rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasmë por krushqit nuk kanë ardhur. Tani se kur ndodh dasma e kanë në dorë krushqit.
Ne kemi në dorë vetëm të bëjmë punën tonë. Jo sepse na e imponon Brukseli por e ardhmja e fëmijëve tanë. Jemi ne fat që gjendemi në mes të Europës. Është bekim për fëmijët tanë që lindin dhe rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur nuk na ndan nga hapësira më e mirë. Imagjinoni të ishim në një continent tjetër apo në shkretëtira. Ky është fati dhe bekimi ynë, Do shfrytëzojmë mbështetjen e BE përmes një procesi të pazëvendësueshëm për t’u rritur vetë.
Të gjitha këtu na duhen për fëmijët tanë. Pastaj hapen nuk hapen, kjo është çështje e BE. Është çështje e një anëtari të familjes europiane që vihet me inat ndaj një tjetri dhe merr peng edhe një të tretë,. Rëndësi ka që KE dhe presidentja sot e konfirmoi që Shqipëria e ka bërë detyrën e vet. Kemi kaq shumë gjëra të tjera për të bërë sa nuk duhet të humbasim fokusin por të vazhdojmë përpara”, tha Rama. m.v/abcnews.al

