HISTORIA/ Nga sherri me rusët në Greqi te largimi në Austri dhe shpallja kampion e Florian Markut (VIDEO)

schedule12:07 - 26 Shtator, 2021

schedule 12:07 - 26 Shtator, 2021

Florian Marku bëri krenar dje gjithë shqiptarët, pasi u shpall kampion bote, ndërsa mbi shpatulla mbante flamurin kuqezi.

Shqiptari triumfoi me pikë ndaj ukrainasit Maksim Prodan, pas plot dhjetë raundesh, duke i rrëmbyer kundërshtarit edhe titullin e kampionit të botës në IBF.

Po si nisi rrugëtimi i shqiptarit?

Dy vite më parë, Marku ka rrëfyer për mediat se është larguar bashkë me familjen drejt Greqisë në moshën 8-vjeçare.

Pas një sherri në Selanik në moshën 18-vjeçare është kthyer në Shqipëri për t’u larguar më pas drejt Austrisë ku vijoi karrierën.

“Ndeshjen e parë e kam bërë kur isha 13 vjeç në një kampionat bote për të rinj. U desh që të vinte babai të firmoste. Unë jam shpallur 6 herë kampion Greqie dhe 4 herë kampion bote.

Në moshën 18-vjeçare u bërballa me disa rusë në Selanik pas një sherri në një pub. Unë isha me një shokun tim i cili u përfshi në sherr dhe unë u futa për ta mbrojtur. Pas sherrit u larguam, rusët më kërkuan të më takonin dhe më thanë të paguaja dëmet në lokal sepse i prisha lokalin.

Një nga ata ngeli i plagosur. Unë u largova nga Greqia dhe erdha në Shqipëri. Unë vërtet nuk jam 2 metra, por nuk lejoj askënd të më ofendojë. Qëndrova 1 vit e gjysmë në Shqipëri dhe shkova në Austri për të vazhduar karrierën. Bëra 13 ndeshje dhe i fitova të 13-ta dhe fillova të ngrihesha”, deklaronte Marku.

Ndoshta nuk e keni ditur, por Florian Marku ka prejardhjen nga Kosova. Gjyshi i tij ka lindur në Kosovë. Ai më pas është larguar për në Shqipëri, në Lushnjë për shkak të regjimit komunist. Por, pas viteve 90’, familja e Markut u zhvendos në Selanik të Greqisë.

Florian Marku e ka shijuar edhe burgun. Ai kaloi një vit e gjysmë mbrapa grilave në Greqi. Madje një pjesë të vogël e kaloi edhe në burgun e Austrisë.

Si u arrestua në Austri?

”Një ditë para ndeshjes. Sapo shkova në shtëpi, në Linz, erdhën e më arrestuan. Të nesërmen, unë kisha ndeshjen, por Interpoli i Austrisë, në bashkëpunim me Interpolin grek, pas informacionit të marrë nga Greqia për vendndodhjen time, më arrestuan në Linz. Më erdhi keq se isha në kulmin e karrierës. Nuk e prisja të më ndodhte kjo. Isha mjaft i njohur në Austri. Nuk më del nga mendja kur polici më tha: “Po ti çfarë bën këtu, unë kam prerë biletën për të parë ndeshjen?”. Kjo më kushtoi një vit e gjysmë jashtë ringut sa edhe fansat kujtuan se s’do rikthehesha., tha Marku”.

Në burgun e Selanikut, Marku e kaloi i vetmuar në një dhomë 3×3, duke lexuar libra.

Marku karrieren e kishte nisur në kick-box. Madje ai kishte ëndërr që një ditë të fillonte edhe me UFC dhe në ‘kafaz’ ta kishte si kundërshtar, Conor McGregorin.

28-vjeçari gjatë karrierës në boks, ka 9 fitore, 6 prej tyre me nokaut (KO) dhe një barazim. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!