Rriten sërish kërkesat për azil, Eurostat: Rekord në rajon

schedule23:29 - 24 Shtator, 2021

schedule 23:29 - 24 Shtator, 2021

Kërkesat për azil nga shqiptarët kanë filluar rritjen graduale pas lehtësimit të kritereve të udhëtimeve në vendet e Bashkimit Europian, por sërish ato mbeten nën nivelet e para-pandemisë. Vendi ynë vijon që të mbetet rekord në rajon për numrin e lartë të azilkërkuesve, ndërsa korriku shënoi një valë të re kërkesash të azilantëve në Francë.

Sipas Eurostat, në korrik kishte 735 kërkesa për azil nga Shqipëria, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë, me rritje prej 24% në krahasim me muajin e mëparshëm. Shifra mund të ketë edhe më e lartë, pasi për korrikun nuk kanë raportuar ende të gjitha shtetet.

Gjithsesi, në raport me janarin 2020, kur nuk kishte filluar ende pandemia, kërkesat për azil mbeten pothuajse të përgjysmuara.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët vijojnë që të kenë vrullin më të lartë për t’u larguar, duke pasur në qershor trefishin e kërkesave të Serbisë, që renditet e dyta pas nesh (shih grafikun).

Eurostat bëri të ditur se dy shtetet më të preferuara nga azilantët janë Franca, që ka parë një rritje të fortë në korrik, me 650 kërkesa, nga 270 muajin e mëparshëm. Ndërsa në qershor, pas Francës renditej Greqia, me 165 kërkesa (ky shtet nuk ka raportuar ende për korrikun).

Kërkesat në Europë

Eurostat raportoi se aplikantët totalë për azil për herë të parë në BE u rritën me 115% në tremujorin e dytë të vitit 2021 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe me 9% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2021.

Lituania (1 781% më shumë), Polonia (742% më shumë), Bullgaria (701% më shumë) dhe Kroacia (579% më shumë) regjistruan rritjen më të madhe relative në azilkërkuesit për herë të parë në tremujorin e dytë të 2021 në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2020

Në tremujorin e dytë të vitit 2021, 36% e vendimeve të shkallës së parë për kërkesat për azil të marra nga Shtetet Anëtare të BE-së ishin pozitive.

Gjatë TM2 2021, u regjistruan rreth 103 895 azilkërkues për herë të parë që aplikonin për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së. Sidoqoftë, numri i aplikimeve ishte ende nën nivelet e para-pandemisë.

Në TM2 2021, kishte edhe 13 805 aplikantë të përsëritur (persona që aplikuan përsëri për azil pasi ishte marrë një vendim mbi një kërkesë të mëparshme). Kjo shifër u ul me 51% në krahasim me TM1 2021 (28 150 aplikantë të përsëritur).

Burimi: Eurostat, të dhënat për korrikun jo përfundimtare

/ Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!