Gjatë inspektimit të forcave të Sigurisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka uruar një ditë para për krijmin e ushtrisë. Kreu i shtetit kosovar u shpreh se ata djem e vajza përfaqësojnë vendin me krenari dhe dinjitet.
Para shumë ushtarëve dhe eprorëve të lartë të FSK-së, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se rrugëtimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit, duke dëshmuar se vendi ka kaluar nëpër sfida duke arritur qëllimin. Thaçi gjithashtu me këtë rast i ka uruar ata për krijimin e ushtrisë, process i cili pritet të zyrtarizohet në seancën e së premtes me votimin në parlament.
Presidenti i Kosovës në fjalimin e tij para ushtarëve të FSK-së theksoi se pas demilitarizimit, u krijuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pastaj me rritjen e nivelit të përgatitjes, u avancua në Forcë të Sigurisë së Kosovës. Në fund të fjalimit të tij ai tha se të gjitha forcat politike në vend janë të bashkuara për të miratuar ligjin për krijimin e ushtrisë. Thaçi theksoi se deputetët e Parlamentit të Kosovës, në mënyrë solemne do të marrin vendimin për këtë proces.
Sipas presidentit Thaçi, FSK-ja është institucioni më i besuar për qytetarët e Kosovës, prandaj si President dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës është krenar për arritjet dhe sukseset e tyre./abcnews.al