Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka zbuluar se disa prej deputetëve të PD janë thirrur në ambasadën amerikane, ku janë pyetur për aktualitetin politik në vend por edhe për çështjen e Sali Berishës.
Sipas tij, ambasada kishte mundësi të bënte një sondazh për të mësuar se çfarë mendonin deputetët dhe qëndrimeve që kanë rreth situatës në vendin tonë.
“Një grup deputetësh të PD janë thirrur në ambasadën amerikane. Nuk mund ta them për çfarë kemi folur pasi është konfidenciale, por kanë dashur të dinë këndvështrimin e anëtarëve të rinj, të grupit parlamentar, të të rinjve, unë si drejtues i forumit rinor si gjykoj ndër të tjera dhe për këtë çështje dhe si e gjykoj aktualitetin politik.
Sigurisht nuk i lëviz presjen se qëndrimi im ka qenë i prerë. Është diskutuar mbi aktualitetin, mbi situatën, është kërkuar të merret një opinion dhe është patur mundësi të bëhet dhe një farë “poll” se çfarë mendojnë njerëzit brenda kësaj force politike”, tha Këlliçi në “Open”.
Praninë e një grupi deputetësh të PD në ambasadën amerikane e konfirmoi edhe Gazment Bardhi disa ditë më parë, ndërsa Agron Gjekmarkaj tha se nuk ka qenë asnjëherë në ambasadë./ TCH