A shkeli Basha statutin? Plani i Berishës për ta larguar si kryetar

schedule15:51 - 17 Shtator, 2021

schedule 15:51 - 17 Shtator, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj 

Sali Berisha u tha simpatizantëve të Partisë Demokratike, por edhe anëtarëve që e ndoqën në takimin e  tij të parë se e ka gati mekanizmin për të rrëzuar Lulzim Bashën nga drejtimi i partisë. Ish-kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar dhe më pas organizimin e një referendumi për të rrëzuar vendimin e kryetarit të PD.

Por statuti i Partisë Demokratike që parashikon edhe mënyrën e funksionimit të strukturave të kësaj force politike në asnjë nen të tij nuk ka të parashikuar organizimin e referendumeve. Por cila është është rruga që Sali Berisha pritet të kalojë për të shkuar deri në organizimin e referendumit? Në nenin 43 të statutit të Partisë Demokratike, parashikohet që të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij e kanë Kryetari i Partisë, Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH-së, ose jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë Degë të PDSH-së. Pikërisht këtij neni të statutit iu referua ish-kryeministri Berisha kur u pyet për mënyrën se si do të largojë Lulzim Bashën nga drejtimi i PD.

“Do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Pas mbledhjes së firmave ne do të thërrasim Kuvendin Kombëtar,” tha Berisha dje.

Por a e shkeli kreu i demokratëve statutin e forcës së tij politike me vendimin personal për të përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga grupi i PD. Parashikimet statutore parashikojnë rastet kur ndaj deputetëve ose anëtarëve të PD merren sanksione të forta, por në të gjitha këto raste vendimin final e merr kryesia e Partisë.

“Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike”.

Nëse Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij do të mund të mbledhin rreth 1500 firma për të thirrjen e Kuvendit Kombëtar, do të jetë në kompetencën e Kuvendit vendimarrja për thirrjen e një referendumi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!