Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka pritur sot në një takim Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se ambasadorja Yuri Kim i uroi Nikollës, suksese në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.
Bashkëpunimi i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara me Kuvendin e Shqipërisë, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, do të vijojë të zgjerohet e forcohet.
“Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një partner real e të besueshëm dhe dëshirojmë një Shqipëri demokratike, të fortë dhe europiane.
Të dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për avancimin e reformës në drejtësi, thellimin e procesit të vetting-ut, për rezultate të prekshme të zbatimit të saj, si edhe për thellimin e reformave të tjera me impakt në jetën e qytetarëve.”
Kryetarja e Kuvendit, e falenderoi Ambasadoren Yuri Kim për urimet dhe mbështetjen si dhe e siguroi për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë.
“Partneriteti strategjik me SHBA është një gurë themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Ne vlerësojmë shumë ndihmën e SHBA, veçanërisht për avancimin e reformës në drejtësi, të procesit të vetting-ut dhe kryerjen e reformës zgjedhore dhe të reformave të tjera në rrugën e anëtarësimit ne BE.
Ne do të rrisim përkushtimin e përgjegjësinë për të justifikuar besimin që na dhanë qytetarët në mandatin e tretë.
Unë do të kontriboj që të sjell një qasje të re në komunikim dhe veprimtarinë parlamentare, duke pasur si yll të karvanit që më udhëheq ne punën time interesat e vendit dhe jo përkatësinë time politike”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.