Niko Peleshi: Forcat e Armatosura do nxjerrin liderë, kurset në të ardhmen në gjuhën angleze

schedule14:32 - 16 Shtator, 2021

schedule 14:32 - 16 Shtator, 2021

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u ndal në terma më konkretë sa i përket bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Peleshi deklaroi se pas Defender 21, Shqipëria pritet të jetë vendi pritës edhe për stërvitje të tjera që do të zhvillohen njëherë në dy vite në vendin tonë.

“SHBA janë për ne një aleatë në NATO dhe partner strategjik special. Në fushën e mbrojtjes bashkëpunimi ka prekur të gjithë sektorët me mbështetje në pajisje, trajnim edukim deri në stërvitje të përbashkëta si Defender 21. Jemi në rrugë të mbarë për të qenë vendi pritës edhe në stërvitje të tjera që do zhvillohen njëherë në dy vite në vendin tonë.

Kjo stërvitje solli edhe një mesazh të rëndësishëm për të ardhmen dhe rëndësinë që Shqipëria ka në rajon. Jam krenar që bashkëpunimi dhe modernizimi me pajisje amerikane është prezent si në FA, radio-komunikimin dhe avionë Black-hot që do vijnë së shpejti. Në forcën detare, vëzhgimi i forcës detare do bëhet në bashkëpunim. Mbrojtjen kibernetike do e dëgjojmë gjithnjë e më tepër sepse është fushë e së tashmes.

Kemi ende shumë punë për të bërë. Ministria e Mbrojtjes ka kaluar në një stad më të lartë bashkëpunimi me SHBA për krijimin e kapaciteteve me fonde të përbashkëta, Rasti i blerjes së helikopterëve Black -hot do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Duam ta shtrijmë bashkëpunimin edhe në fushën e blerjes dhe prokurimeve për të siguruar edhe më shumë transparencë”, tha Peleshi.

Peleshi shtoi se edukimi në fushën e mbrojtjes do i kthejë forcat e armatosura në institucion edukimi model për të përgatitur lider në shoqëri ndërsa shtoi se synohet që kurset në këtë akademi të bëhen në gjuhën angleze për të shërbyer si institucion rajonal.

“Këtë vit kremtojmë 20-vjetorin e bashkëpunimit me gardën e Nju Xhersit që do të vazhdojë në operacione dhe luftën kundër trafiqeve. Në dhjetor kemi takimin konsultativ Shqipëri-SHBA. Edukimi i lartë në fushën e mbrojtjes, FA-të do i kthejmë në institucion edukimi model për të përgatitur edhe lider në shoqëri. Është një komunitet model që duhet ta sjellim më pranë edhe me komunitetin. Janë të disiplinës dhe punës.

Këtë vit falë fokusimit të shtuar për 60 pozicione në tre degë bachelor kemi pasur rreth 1000 aplikime. Çdo student që studion në FA nuk paguan dhe ne i japim edhe një pagesë për të qenë dinjitozë. Ambicia nuk është thjesht rimodelim por edhe rajonalizim. Duam që kurset tona të bëhen në anglisht për të shërbyer si institucion rajonal”, shtoi ministri. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!