Për t’u bërë ballë sfidave pas tkurrjes së pushtetit politik, Donald Trump ka bërë të shtunën lëvizjen e parë. Presidenti amerikan ka njoftuar shkarkimin e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kelli. Ndërkohë, duke komentuar trazirat në Francë, Trump u ka bërë thirrje të gjitha vendeve të tërhiqen nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Një muaj nga humbja e Kongresit në zgjedhjet e mesmandatit, Donald Trump ka bërë gati një listë me ndryshime për t’u bërë ballë sfidave me të cilat do të përballet në të ardhmen. Lëvizja e parë e presidentit amerikan do të jetë shkarkimi i shefit të stafit të tij, i cili do të largohet nga detyra në fund të vitit. Trump e punësoi Xhon Kellin një vit më parë për të vënë nën kontroll kaosin që kishte përfshirë Shtëpinë e Bardhë. Në muajt e parë u duk se Kelli pati sukses, por në muajt e fundit përplasjet mes tij dhe kreut të shtetit u intensifikuan. Duke folur për gazetarët, Trump ka bërë me dije se emrin e zëvendësuesit të Kellit do ta bëjë publik në ditët e ardhshme. Ndërkohë, në mediat amerikane është lakuar emri i asistentit të zëvendës presidentit Pens, Nik Ejërs.
Por e shtuna ka qenë edhe një ditë propozimesh për presidentin e Shteteve të Bashkuara, i cili nuk ka qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve të fundit në rang ndërkombëtar. Duke komentuar protestat e radhës në Paris, Trump ka deklaruar se ndoshta është koha që të gjitha vendet të distancohen nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet e klimës. “Ditë shumë e trishtueshme sot në Paris. Mbase ky është momenti që t’i jepet fund marrëveshjes qesharake dhe të shtrenjtë të Parisit dhe t’u kthejmë qytetarëve paratë përmes uljes së taksave”, ka shkruar presidenti në profilin e tij në Tëitter.
Sërish përmes rrjetit social, kreu i shtetit përsëriti edhe kërkesën shumë të dashur prej tij, atë të mbylljes së hetimeve mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje. “Është koha që edhe gjuetia e shtrigave të marrë fund. Në dy vjet hetime, që kanë kushtuar 30 milionë dollarë, nuk është gjetur asnjë lidhje”, ka thënë Trump. Por apeli i tij zor se do të dëgjohet nga hetuesit e “Russiagate”, të cilët vetëm së fundmi akuzuan Trump se kishte udhëzuar avokatin e tij për të bërë pagesa të fshehta në prag të zgjedhjeve dhe dhanë detaje mbi një zyrtar rus deri dje të panjohur që ishte përpjekur të ndihmonte Trump gjatë fushatës./abcnews.al