Sonda “Insight” që prej disa ditësh ndodhet në planetin Mars ka dhënë sinjalin e parë për laboratorët e NASA-s në tokë. Sonda ka regjistruar zhurmën e erës në Planetin e Kuq, e ngjashme me një fëshfërimë që është vështirë të dëgjohet nga veshi i njeriut.
Sonda “Insight” e NASA-s, që dhjetë ditë më parë mbërriti në Mars, ka regjistruar zhurmën e erës që fryn në këtë planet. Bëhet fjalë për një fëshfërimë thuajse e pakapshme nga veshi i njeriut.
Sidoqoftë, rezultati është arritur falë sizmometrit dhe sensorit të presionit të ajrit që i janë montuar objektit e që kanë mundësuar regjistrimin e dridhjeve të erës, që frynte me 16 deri në 24 kilometra në orë. Konkretisht, sensori i presionit ka mundësuar një regjistrim direkt të erës, ndërsa sizmometri dridhjet e shkaktuara në panelet diellore të sondës.
“Panelet diellore reagojnë ndaj ndryshimit të presionit të erës. Është njësoj sikur “Insight” të ketë ngritur veshët për ta dëgjuar”, ka sqaruar Tom Pike, anëtar i ekipit shkencor të misionit.
“Kur pamë drejtimin e dridhjeve që vinin nga panelet diellore, ato përputheshin me drejtimin që ne kishim parashikuar në momentin e uljes”, ka vijuar Pike.
Për NASA-n, materiali i parë audio nga Planeti i Kuq është një dhuratë e papritur, edhe pse misioni i sondës është matja e lëvizjes në Mars, që përfshin edhe lëvizjen e valëve zanore. Për të dëgjuar më qartë tingujt marsianë duhet pritur misioni i NASA-s në Mars në vitin 2020, kur sonda do të ketë në bord dy mikrofonë./abcnews.al