Importet e frutave e bananeve nga Ekuadori janë dyfishuar që nga 2015-a, “rikthehet” dhe Kolumbia

schedule07:57 - 9 Shtator, 2021

schedule 07:57 - 9 Shtator, 2021

Importet e frutave dhe arrave të ngrënshme (ku një pjesë të rëndësishme e zënë bananet) nga vendet e Amerikës Latine kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.

Kjo tendencë është përforcuar dhe në 7 muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se Ekuadori është bërë për herë të parë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë për kapitullin e “frutat dhe arrat e ngrënshme” në 7 mujorin e parë të 2021, duke ia kaluar Greqisë, që tradicionalisht ishte shteti nga ku ne importonim më shumë këto produkte.

Në krahasim me vitin 2015, importet e këtij kapitulli nga Ekuadori janë dyfishuar, duke arritur në 1.6 miliardë lekë për janar-korrik 2021, ose 38% të totalit (në 2015-n, kjo peshë ishte 23%). Të dhënat e tjera nga Comtrade, që i referohen vitit 2020 tregojnë se pjesa më e madhe e kapitullit të “Fruta e arra të lëngshme” përbëhet nga bananet.

Frutat dhe arrat e ngrënshme përbënin 84% të importeve nga Ekuadori. Produkti i dytë janë “Peshku dhe kafshët guackore të nënujshme”, me 13% të totalit.

Burimi: INSTAT

Kolumbia është një tjetër shtet, nga i cili janë rritur ndjeshëm importet në vitet e fundit, që nga 2016. Në krahasim me vitin 2015, importet në total nga ky shtet i Amerikës Latine janë rritur me 38 herë, duke arritur në 1.7 miliardë lekë për 7 mujorin 2021, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT.

Ndryshe nga Ekuadori, ku tregtia është përqendruar te bananet e frutat, me Kolumbinë produktet kanë ndryshuar më shpesh. Fillimisht ishin bananet që gjetën rrugën drejt tregut vendas, me importet e tyre që u pesëfishuan nga 2015-a në 2017-n. Nga 2018-a, (që përkon me kapjen e ngarkesës më të madhe me drogë deri tani prej 613 kg në shkurt të atij viti në Portin e Durrësit), tregtia u zhvendos drejt lëndëve djegëse minerale e vajrave (në Maltë u kapën disa herë palete ku brenda ishte fshehur drogë me destinacion nga Kolumbia drejt Shqipërisë).

Burimi: INSTAT

Pas një rënieje të fortë në 2020-n, produktet që vijnë nga Kolumbia kanë shënuar një rritje të ndjeshme sërish në 7 mujorin e këtij viti, duke u trefishuar në raport me vitin e mëparshëm. Sërish dominojnë lëndët djegëse, ndërsa një element i ri që po importohet këto muaj janë produktet kimike./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!