Në një konferencë kombëtare për krimin mjedisor të zhvilluar në Tiranës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi se krimi ndaj mjedisit duhet konsideruar si të gjitha krimet e tjera. Për këtë ai kërkoi ndryshime në Kodin Penal.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, thotë se viti 2018 ka qenë një vit sprove për menaxhimin dhe mbrojtjen e pasurive mjedisore.
“Viti 2018 ka qenë një vit sprove për institucionin që unë drejtoj në dy aspekte. E para për të administruar ashtu siç duhet pasuritë tona kombëtare. Ka vend për përmirësim për të kuptuar që mjedisi është një e mirë e përbashkët që ka rregullat ligjet, norma dhe punët konkrete, ku ne duhet të funksionojmë. Dhe e dyta më e rëndësishme është që çfarë ne kemi dhe duhet të bëjmë për të vendosur në shoqërinë shqiptare disa rregulla”, tha ai.
Ministri nuk harroi të sjellë në vëmendje kontrollet në të gjitha industritë që ndosin ambientin.
“Të 18 industritë që ne kemi përcaktuar se ndosin Shqipërinë e papastër janë marrë në sitë dhe kemi marrë se legjislacioni ishte por asnjëherë nuk është marrë asnjë masë për të përcaktuar rregullat me të cilat do funksiononin guroret ”, u shpreh Klosi.
Klosi përmendi edhe vendimin në lidhje me ndalimin e tregtimit të makinave të vjetra, që sipas tij ndihmon në përmirësimin e ambientit.
“Është një vendim mendoj i debatueshëm, por në të gjithë aspektet e tij mbron shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, mbron familjet të cilat abuzoheshin nga tregtarët e makinave, të cilat nuk futeshin dot në pasuritë e familjeve”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit.
Gjatë Konferencës Kombëtare për krimin mjedisor Klosi tha se duhen bërë ndryshime në Kodin Penal dhe krimi ndaj mjedisit duhet konsideruar si të gjitha krimet e tjera
“Kemi nevojë që të ngremë një aleancë më të madhe në mbrojtje të mjedisit dhe unë do jem i pari që do jem pjesë e kësaj aleance për të kuptuar që krimi mjedispor është një krim që duhet dënuar, krimi mjedisor është një veprimtari e paligjshme. Ka ardhur koha që edhe Kodi Penal të jetë pjesë e diskutimit të gjerë mbipartiak dhe ndryshime në Kodin Penal për të futur krimin mjedisor si një vepër penale”, përfundoi Klosi./abcnews.al