SHBA dhe partnerët: Legjitimiteti i Qeverisë së talibanëve duhet të fitohet

schedule21:19 - 8 Shtator, 2021

schedule 21:19 - 8 Shtator, 2021

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë pas një takimi virtual me Gjermaninë dhe rreth 20 shtete tjera se, Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Afganistan do të gjykohet nga veprimet dhe se legjitimiteti “duhet të fitohet”.

Blinken është takuar me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas, pasi ka arritur në bazën amerikane në Ramstein të Gjermanisë, e cila është duke u shfrytëzuar si strehë për mijëra persona të evakuuar nga Afganistani.

Talibanët kontrollojnë Kabulin dhe gati gjithë Afganistanin pas disa mujave të fitoreve ushtarake, ndërkohë që forcat ndërkombëtare janë tërhequr dhe presidenti i rrëzuar nga pushteti, Ashraf Ghani, ka ikur nga shteti më 15 gusht.

“Talibanët kërkojnë legjimitet ndërkombëtar”, ka thënë Blinken.

“Secili legjitimitet, secila përkrahje duhet të fitohet”.

Blinken ka shprehur shqetësimet e Uashingtonit për disa individë në “Qeverinë e përkohshme” të prezantuar nga talibanët më 7 shtator, ndonëse nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Qeveria gjithë burra e talibanëve, do të drejtohet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, i cili gjendet në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, dhe figura tjetër e kabinetit, Sirajuddin Haqqani, gjendet në listën amerikane të terroristëve dhe kërkohet nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI).

Blinken ka thënë se diskutimet e tij me Maas dhe shtetet tjera partnere është fokusuar në mënyrat se si mund t’i bëjnë talibanët të jetësojnë zotimet e tyre.

Talibanët janë zotuar për qeveri “gjithëpërfshirëse” mirëpo gati të gjithë ministrat e përkohshëm janë liderë talibanë për kohë të gjatë, disa prej të cilëve me lidhje të ngushta të regjimit të viteve 1996-2001, kur të drejtat e njerëzve janë injoruar dhe ka pasur ndëshkime të mëdha, në linjë me interpretim ekstrem të ligjit islamik.

Blinken ka thënë se zyrtarët amerikanë janë duke bërë gjithçka që munden për nisje të fluturimeve sërish nga Afganistani, mirëpo talibanët nuk janë duke lejuar tani diçka të tillë.

Maas ka thënë se njoftimi i talibanëve për qeveri “nuk na ka bërë optimistë” dhe “nuk ka qenë shenjë për bashkëpunim ndërkombëtar apo stabilitet në shtet”.

Ai ka paralajmëruar për mundësi të “krizës së madhe humanitare” që duhet të parandalohet në Afganistan.

Ai ka thënë se në këtë shtet ka ende shtetas gjermanë, të cilët Berlini dërshiron t’i nxjerrë jashtë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!