Kombëtarja ka nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës dhe të fundit për këtë grumbullim ndaj San Marinos pas dy ditësh. FSHF bën me dije detajet dhe informon për gjendjen e lojtarëve dhe mungesat.
NJOFTIMI – Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të hënë një seancë stërvitore në kompleksin Tropikal në Durrës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” ndaj San Marinos.
Lojtarët që u aktivizuan si titullarë në ndeshjen ndaj Hungarisë të dielën mbrëma zhvilluan vetëm një seancë të reduktuar dhe pa ngarkesa fizike. Ndërsa pjesa tjetër e grupit bëri një seancë të plotë nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se disa lojtarë që kanë probleme fizike pas duelit me Hungarinë i janë nënshtruar testeve dhe pritet përgjigja e stafit mjekësor për të konkluduar nëse do të jenë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.
Për Sokol Cikalleshin, i cili nuk u aktivizua ndaj hungarezëve për shkak të një dëmtimi në gju, do të vendoset nesër në mëngjes nëse do të mund të luajë ndaj San Marinos ose jo. Sulmuesi ka zhvilluar stërvitje të diferencuar.
Dëmtime të vogla kanë pësuar edhe Lorenc Trashi, Nedim Bajrami e Bekim Balaj, por që të tre parashikohet të jenë gati për lojë sipas stafit mjekësor kuqezi. Amir Abrashi do të mungojë ndaj San Marinos për shkak se ka pësuar një tërheqje dhe ka nevojë për një pushim për t’u rikuperuar.
Në sfidën e të mërkurës do të mungojë edhe mesfushori Klaus Gjasula, i skualifikuar pas kartonit të marrë ndaj Hungarisë. Shqipëria do të luajë ndaj San Marinos sfidën e tretë të shtatorit në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të startojë në ora 20:45. /abcnews.al