Mijëra tifozë përcolën Boka Juniorsin, që u nis për në Madrid, për finalen e Kupës Libertadores. Ata mbushën rrugë dhe sheshe të kryeqytetit të Argjentinës, Buenos Aires.
E kishin treguar veten në stadium, në ndeshje apo stërvitje, ja ku janë edhe në rrugë e sheshe.
Tifozët e Boka Juniorsit i bënë një përcjellje madhështore skuadrës së tyre, që u nis drejt Madridit për të luajtur finalen e dytë e përcaktuese të Kupës Libertadores.
Boka ndeshet me River Plejtin, pasi finalja e parë përfundoi 2-2 në stadiumin e saj, “La Bombonera”, ndërsa e dyta nuk u luajt dot në stadiumin e Riverit, “Monumental”.
Kjo, për shkak të dhunës së një pjese të tifozëve të Riverit ndaj autobusit të skuadrës kundërshtare, që lëndoi disa futbollistë.
Pas shumë polemikash e debatesh, Federata e Futbollit e Amerikës së Jugut, vendosi që finalja të luhej në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Realit, në kryeqytetin e Spanjës.
Boka dhe Riveri pranuan ta luanin, edhe pse e kundërshtuan fort për shkak se i largon me mijëra kilometra nga tifozët e tyre në Argjentinë.
Jo vetëm kaq, por tifozët e dy skuadrave, me bazë në Argjentinë, do të mund të marrin vetëm 5 000 bileta, 40 000 bileta të tjera do t’i jepen argjentinasve me banim në Spanjë, 22 000 do të jenë për organizatorët, dhe 9 000 biletat e tjera për aksionerët e Realit.
Gjithsesi, mijërat e përkrahësve të Bokës në Buenos Aires gjetën mënyrën e tyre origjinale për t’i dhënë mbështetje skuadrës në prag të ndeshjes më të madhe të viteve të fundit. /abcnews.al