Nikola Jokiç ishte protagonist i madh i basketbollit amerikan në ndeshjet e fundit. Ylli serb udhëhoqi Denverin në fitoren në fushën e skuadrës numër 1 të sezonit, Torontos.
Dihej që ishte një nga skuadrat më të mira, por nuk besohej shumë se kishte fuqinë të trondiste kryesuesit brenda në shtëpi.
Denveri, megjithatë, ia doli që të fitonte në Arenën e Torontos, edhe pse vetëm me 3 pikë epërsi, 106-103, duke shkaktuar një nga të papriturat më të mëdha të sezonit.
Nikola Jokiç, një “Mexhik Xhonson i bardhë”, ishte heroi me 23 pikë të shënuara, 11 topa në tabela e 15 pasime për kosh, pra me një tripëll dabëll, të cilin e pasuroi edhe me dy vjedhje topi.
Basketbollisti 25-vjeçar nga Serbia u tregua i papërmbajtshëm për vendasit.
Talenti i tij ishte sërish shumë i madh, pavarësisht se Jokiç nuk është aspak një lojtar i shpejtë.
Një sukses i madh për një lojtar 2 metra e 13 centimetra, me pozicionin qendër, që luan me elegancën dhe lehtësinë e Arvidas Sabonisit, Tim Dankënit apo Toni Kukoçit.
Falë Jokiçit, por edhe spanjollit Hernangomes, e amerikanëve Marrej apo Bejsli, Denveri është sot një nga skuadrat më të forta të NBA-së, në vend të parë të Konferencës Perëndimore, baraz me Klipersat, dhe përmbi Golden Stejtin apo Lejkërsat.
Toronto nuk është se nuk u përpoq, dhe jo më kot është skuadra numër 1 I NBA-së deri tani.
Ylli kryesor, Leonard, shënoi 27 pikë dhe kapi 8 topa në tabela, por talenti i formacionit nga Kanadaja nuk ishte i mjaftueshëm këtë herë.
Duket se ky kampionat do të jetë shumë interesant, ndërsa lojtarët europianë si Jokiç apo Donçiç do të jenë protagonistë. /abcnews.al