Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës për huffingtonpost.it nuk ka folur vetëm refugjatët afganë të cilët janë kryefjalë, por edhe situatën nga COVID-19 dhe cështje të reja. “Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën përmes komitetit të ekspertëve të shëndetit publik dhe përpiqemi të jemi pragmatikë, duke marrë vendime bazuar në përvojën e akumuluar dhe të dhënat shkencore në dispozicion” tha ai.
Në Itali po zhvillohet një debat i madh për rihapjen e shkollave, po në Shqipëri a do të hapen shkollat, e pyeti gazetari? “Unë shpresoj që po, por ne duhet të shtrëngojmë shumë më tepër vaksinimin për të gjithë ata që duan të vazhdojnë vitin akademik në klasa dhe auditor” tha ai.
Kur flitet për integrimin, si gjithmonë Edi Rama nuk i kursen sulmet kundër Brukselit. “Bashkimi Europian është në një ngërç me shenja mjaft shqetësuese të ndarjeve dhe përçarjeve të dukshme të brendshme.
Duket se që nga kriza e madhe e refugjatëve e konfliktit në Siri ka humbur jo vetëm një pjesë të tërheqjes së saj të madhe, por edhe busullën e saj të orientimit kur bëhet fjalë për të menduar për zgjerimin në Ballkan. Sipas mendimit tim ky është shembulli më i qartë i të qenit peng i nacionalizmave, për të cilin më vjen keq sepse është një projekt i lindur pikërisht për të luftuar këto nacionalizma” tha ai.
Lexo edhe: Rama: Hapa dyert e Shqipërisë për refugjatët afganë
Kreu i ekzekutivit foli edhe për prioritetet e mandatit të tretë qeverisës. “Të dalim më të fortë nga tërmeti shkatërrues që na goditi para dhe nga pandemia që erdhi menjëherë pas, investimi në energjitë e rinovueshme, mbyllja e rrethit të dixhitalizimit të shërbimeve publike për të mbyllur të gjitha dyert e burokracisë torturuese, duke filluar këtë vit me gjuhën angleze në klasën e parë dhe duke transformuar të gjithë sistemin e njohurive të teknologjisë në shkollë.
Transformimin e tre porteve të vjetra tregtare në porte turistike dhe ndërtimin e dy aeroporteve të reja për ta çuar turizmin në një nivel tjetër, duke u përpjekur të shmangim gabimet e së kaluarës në zhvillimin e bregdetit; të përqendrohemi edhe më shumë në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore etj. E gjithë kjo pa harruar kurrë se korrupsioni dhe burokracia duhet të trajtohen pa pushim si armiq të sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve” deklaroi ai./ db/Abcnews.al

