Haradinaj WP: Nuk pranojmë shkeljen e sovranitetit tonë nga Serbia

schedule11:17 - 29 Nëntor, 2018

schedule 11:17 - 29 Nëntor, 2018

Kryeministri Haradinaj në një editorial për “The Uashington Post”, thotë se sa të jetë në drejtim të qeverisë kosovare nuk do të lejojë pazaret politike në dëm të sovranitetit të vendit. Ai akuzon Serbinë, se do të zhvillojë një spastrim të pastër etnik me idenë e shkëmbimit të territorit.

Gazeta prestigjioze amerikane, “The Washington Post”, ka publikuar një shkrim autorial të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Shefi i qeverisë së Prishtinës që në titull thotë se nuk do të lejojë Serbinë ta cenojë sovranitetin e vendit. “Vendit tim, Kosovës, po i kërkohet të bëjë një zgjidhje të pamundur, e cila do ta zbehte sakrificën e bërë nga ushtarët e Shteteve të Bashkuara, e cila do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit, dhe e cila do të rrezikonte aleatët e Amerikës. Përballë sulmit të vazhdueshëm nga Serbia, që ka për qëllim të cenojë sovranitetin, sigurinë dhe prosperitetin tonë, janë disa që duan që Kosova të angazhohet në të ashtuquajturin spastrim ‘paqësor’ etnik në Ballkan”, thekson Haradinaj. Kryeministri kosovar thotë se nuk do t’i nënshtrohet Serbisë duke e cilësuar si ngacmumes dhe shton se qeveria e tij do të ngrihet “kundër atyre që duan të na shfrytëzojnë, duke punuar në të njëjtën kohë për një marrëveshje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse”.

Më tej ai akuzon përsëri Beogradin. “Serbia dhe aleatja e saj, Rusia, kanë refuzuar të njohin sovranitetin tonë, dhe janë përpjekur të bllokojnë anëtarësimin tonë në Kombet e Bashkuara. Duke shkelur marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve, Serbia ka punuar që të bllokojë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, si dhe drejt anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare”, shkruhet në shkrimin e Haradinaj për The Uashington Post duke përmendur edhe dështimin e anëtarësimit në Interpol. “Tani, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i mbështetur nga Rusia, na ka bërë një ofertë të turpshme: Serbia do ta njohë Kosovën, nëse ne ia japim asaj një pjesë të territorit tonë. Serbia dëshiron të krijojë një shtet të “pastër” etnikisht, duke ua hequr shtetësinë qytetarëve dhe duke i dëbuar ata nga shtëpitë e tyre”, vijon shkrimi I Haradinaj. Shefi i qeverisë duke nënvizuar se ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar, thotë se “nuk do të shkelet kushtetuta e Kosovës, nuk do të jepet sovraniteti dhe nuk do të shkatërrohet integriteti territorial, vetëm që Serbia ta njohë atë që tashmë është fakt”. Ndër të tjera Haradinaj shkruan se Kosova nuk do të shndërrohet në vend që lufton për integritetin territorial si Izraeli, Ukraina dhe India./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!