Sezoni i fundit ishte katastrofik për Schalke 04. “Blutë Mbretërorë” e mbyllën kampionatin në vend të fundit në Bundesliga, duke rënë një kategori më poshtë. Zhgënjim i madh te tifozët, teksa në fushën e blertë asgjë nuk shkoi mirë.
Shtatë herë kampionët e Gjermanisë, të cilët kanë fituar edhe një Kupë UEFA (1997), janë fokusuar te rikthimi i menjëhershëm në elitën e futbollit gjerman, por kanë arritur të mbledhin vetëm 4 pikë në tre ndeshjet e para në 2. Bundesliga.
Benito Raman ishte pjesë e Schalke 04 në dy sezonet e fundit, teksa në korrik u transferua tek Anderlecht për shumën e 3 milion eurove (luajti në dy ndeshjet e Conference League kundër Laçit).
Sulmuesi belg ka zbuluar një prapaskenë të veçantë në lidhje me Christian Gross, 67-vjeçarin zviceran që drejtoi Schalken si trajner në periudhën dhjetor 2020-shkurt 2021.
“Ai nuk na dinte as emrat ne lojtarëve. Asgjë pozitive nuk ndodhi gjatë kohës që ishte trajner i Schalkes. Qetësia mungonte në ekip, teksa nuk bëhej fjalë fare për taktikë.
Gjatë 11 ndeshjeve që drejtoi ekipin, lojtarët e morën situatën në duart e tyre: trajneri do të luajmë në këtë mënyrë, por ne do të luajmë si duam vetë“, theksoi lojtari belg. /abcnews.al