Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj është takuar me banorë të Unazës së Re për t’i shpjeguar se çfarë përfiton secila kategori që preket nga projekti i ndërtimit të rrugës. Protestuesit që dalin në rrugë prej më shumë se 20 ditësh mohojnë që të kenë dërguar përfaqësuesit e tyre në atë takim.
Njoftoi transmetimin e drejtëpërdrejtë nga facebooku, me dixhiturën : Takim me banorët e Astirit në Bashkinë e Tiranës për t’i falenderuar që i hapën rrugë Unazës e zgjidhjes!
Qëllimi i vërtetë ishte tjetër. “Jo se s’ka zonja këtu, por me i bë biseda burrash. Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori”.
Për të arritur tek pika ku askush nuk humbet, kryebashkiaku Erion Veliaj sjell rastet një pas një. E nis me ata që i quan hallexhinj, në kategorinë ku bëjnë pjesë edhe ata që u shpërngullën në banesat sociale tha kreu i bashkisë.
“Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë, e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bo shtëpi me kushtet, me një jetë shumë të vështirë te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat, ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht”.
Kategoria e dytë janë ata që kanë certifikatë pronësie.
“Kush ka tokë tjetër mbrapa të vetën, që nuk e prek fare gjurma, të vijë që nesër të aplikojë për ndërtim në bashki, koeficientet janë publikë, nuk është një gjë që po e bëjmë sot me presion. Futuni te Tirana.al dhe shikoni që aty është, ka një vit koeficienti. Ama nëse shpronësohesh do ta ketë te shpronësimi, nëse nuk shpronësohesh i gjithë territori që preket nga gjurma që është tokë jotja të quhet koeficient te ndërtimi që do të bësh vetë”.
Të tretët janë të pashpresët në këndvështrimin e kryebashkiakut.
“Kush vjen deputet që deri dje ishte në Londër, që s’i ka prek këmba ndonjëherë tokë, që zbret nga “Range”, me puro, vjen dhe ngre gishtat lart që të kapë kandidimin prapë, pastaj shkon për haviar, vallaj kjo është që kategori që vjen aty për hallin e vet, nuk vjen për hallin tuaj”.
Thotë se nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka projekti unazës së madhe të Tiranës, por autorin nuk rri dot pa e përmendur.
“Halli zgjidhet me bashkëpunim, bashkëpunim me ARSH për shpronësim”
Dy prej banorëve të ftuar folën dhe i kërkuan jo vetëm të mos I shohë si qytetarë që kërkojnë lëmoshë por të mos i emërtojë as shpellarë.
“Unë e kam lënë një dëshmor më 21 janar, që e ka emrin Aleks Nika atë shpellarin unë e kam lënë në 21 janar atje. Me ato shpellarë keni ardh ju në pushtet”.
Ndërkohë që kryebashkiaku i siguroi se do t’i gjendet pranë për t’ia zgjidhur problemin, banorët e tjerë të unazës së re ishin në rrugë duke protestuar.
Jo vetëm kaq por ata mohuan të kenë dërguar përfaqësuesit e tyre në takimin me kryebashkiakun e Tiranës.
Protesta e banorëve të unazës së re është zhvilluar pothuajse gjatë gjithë ditës duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në të dy krahët e rrugës. /abcnews.al