Sherr mes gjeneralëve për helikopterët në Greqi

schedule12:06 - 10 Gusht, 2021

schedule 12:06 - 10 Gusht, 2021

Një ditë më parë mediat greke raportuan për dorëheqjen e kreut të Forcave Ajrore të Greqisë, Gjeneral George Koumentakos për shkak të dështimit në mbajtjen në gatishmëri të helikopterëve të transportit “Chinook”, të cilët përdoren edhe për fikjen e zjarreve.

Ndërkohë sot duket se gjërat janë qetësuar në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Greqisë, ndërsa mediat lokale raportojnë për një sherr të madh mes kreut të ushtrisë Kostantino Floros dhe shefit të Forcave Ajrore Koumentakos.

Gjithçka u zhvillua në kuadër të akuzave nga Floros ndaj vartësit të tij për paaftësi dhe arrogancë në drejtimin e Forcave Ajrore, gjë që solli edhe pamundësinë e ushtrisë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve që kanë shkrumbuar zona të tëra në shtetin Helen.

Sherri zgjati disa orë sipas mediave greke dhe gjatë gjithë natës, disa prej gjeneralëve grekë kanë qenë nën presion për shkak të vonesave në remontin e helikopterëve “Chinook”, gjë që solli edhe kërkesën e Koumentakos për t’u larguar nga drejtimi i Forcave Ajrore.

Duket se ky i fundit është tërhequr nga  kërkesa   e tij duke vijuar në krye të aviacionit grek, ndërsa kriza në kupolën e ushtrisë greke konfirmoi sipas mediave paaftësinë për të mbajtur në gatishmëri helikopterët për shuarjen e flakëve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!