Holanda do të ndihmojë Shqipërinë në betejën kundër zjarreve. Lajmin e ka bërë me dije ambasada holandeze në Shqipëri.
Ajo thekson në njoftimin në faqen e saj zyrtare se Holanda do të ndihmojë duke dërguar dy helikopterë Chinook këtë të premte, të cilët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve.
“Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE -së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë. Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë Chinook. Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira.
Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet Shqipëtare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë”, thuhet në njoftim. m.v/abcnews.al