Drita zhvilloi një performancë fantastike në Conference League, dhuroi emocione të shumta dhe ishte shumë afër kalimit në raundin e tretë të turneut, por u dorëzua në fund pas humbjes 3-2 me Feyenoord në Holandë.
Tani fokusi te kampionati i Kosovës, aty ku “Intelektualët” do të synojnë fitimin e titullit kampion. Drejtuesit kanë kryer një përforcim të rëndësishëm, duke i dhuruar trajneri Ardian Nuhiu një sulmues të djathtë.
Drita ka prezantuar Agim Zekën, 22-vjeçarin që vjen nga Austria e Vienës. Zeka, i cili ka firmosur kontratë 2-vjeçare, ka luajtur me kombëtaret U17, U19 dhe U21 të Shqipërisë, teksa përveç Skënderbeut ka provuar disa aventura në Francë, Portugali, Holandë, Belgjikë dhe së fundmi në Austri.
“Agim Zeka është përforcimi i radhës. Klubi jonë FC DRITA ka arritur që të përforcojë edhe më shumë fazën ofensive me lojtarin tonë më të ri Agim Zeka i cili vjen pas një eksperience të madhe nga Evropa!
Agim Zeka 22 vjeçar, është sulmues krahu dhe sa ishte pjesë e Skënderbeut, bëri hapin e madh ku u transferua tek gjiganti francez LOSC Lille dhe me pas ishte i huazuar në ekipe të njohura evropiane dhe së fundmi ishte pjesë e Bundesligës austriake, pjesë e ekipit Austria Viena.
Zeka ishte pjesë e shpresave të kombëtares së Shqipërisë tek të gjitha grupmoshat U-17, U-19 dhe U-21. Marrëveshja mes klubit tonë dhe lojtarit është lidhur për dy vitet e ardhshme dhe Zeka do të jetë bardhë e kaltër deri me 2023. Mirë se vjen Agim“, lexohet në postimin e klubit nga Gjilani. /abcnews.al